Lajme

EULEX-i mbështetë një trajnim për mësimdhënësit e edukatës qytetare në lidhje me shpjegimin e temës së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit para fëmijëve

06 shkurt 2023

Nga data 1 deri më 5 shkurt, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) mbështeti organizimin e një trajnimi për 15 arsimtarë të lëndës së edukatës qytetare nga pesë komuna të Kosovës, i ofruar nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (IRDNJ) në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve – Avancimi i edukimit mbi të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit nëpër shkolla”.

Trajnimi intensiv pesëditor kishte për qëllim pajisjen e arsimtarëve të lëndës së edukatës qytetare me njohuri dhe aftësi të nevojshme për shpjegimin e parimeve të të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe sundimit të ligjit para fëmijëve të moshave të ndryshme. Përmbajtja e trajnimit u bazua në Programin e edukimit për të drejtat e njeriut për rininë, të zhvilluar nga IRDNJ, i cili së fundmi është akredituar nga Ministria e Arsimit e Kosovës.

“Me anë të këtij trajnimi, i cili alternon teorinë me praktikën përmes angazhimit të pjesëmarrësve në prezantime, punë grupore ndëraktive dhe simulime, ne presim që pjesëmarrësit të arrijnë të integrojnë programin tanë të ri për të drejtat e njeriut në kurrikulat aktuale,” shpjegon Drejtoresha Ekzekutive e IRDNJ, Marigona Shabiu. “Ideja jonë është të edukojmë fëmijët e Kosovës që në moshë të re, duke mësuar jo vetëm themelet, por edhe instrumentet dhe mekanizmat kyç të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që fëmijët të bëhen qytetarë të fuqizuar, të aftë t’i kërkojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre si dhe të të tjerëve”, thekson Shabiu.

Në hapjen e ditës së parë të punëtorisë, monitoruesja e drejtësisë nga EULEX-i, Diana Mocilnik-Draghina, rikujtoi se si mësimdhënësit luajnë rol thelbësor për të siguruar që fëmijët të rriten si qytetarë të informuar, të njoftuar mbi parimet themelore të drejtësisë dhe të drejtat e njeriut.

Valon Mejzinolli, arsimtar i lëndës së edukatës qytetare për fëmijët e moshës 11 deri në 14 vjeç në Shtime, e përshëndeti trajnimin si një mundësi shumë të dobishme për fuqizimin e kurrikulave aktuale. “Ky program i ri paraqet elemente që ende nuk janë të integruara në kurrikulat aktuale, siç është koncepti i lirisë së mediave, apo shpjegimi i detajuar i funksionimit të institucioneve të drejtësisë”, shpjegon Mejzinolli.

Projekti i EULEX-it “Fuqizimi i të rinjve – Avancimi i edukimit mbi të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit nëpër shkolla” filloi më 13 janar me një trajnim për studentët e juridikut. Në javët në vijim do të mbahen ligjërata mbi temën e drejtësisë para nxënësve të shkollave fillore.