Lajme

EULEX-i e mbështet fushatën për rekrutim të Policisë së Kosovës për të tërhequr kandidatë nga komunitetet jo-shumicë

03 shkurt 2023

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, i është bashkuar fushatës për rekrutim të Policisë së Kosovës për të tërhequr kandidatë nga komunitetet jo-shumicë.

“Përbërja e policisë duhet ta pasqyrojë përbërjen e popullsisë. Bëhuni pjesë e Policisë së Kosovës dhe kontribuoni në sigurinë e komunitetit tuaj duke e parandaluar dhe luftuar krimin”, thotë Wigemark në thirrjen e tij drejtuar kandidatëve potencialë, duke kërkuar nga ata që ta shfrytëzojnë këtë mundësi pasi ajo është në interesin e tyre dhe në interes të komunitetit të tyre.

Mbështetja për fushatën e rekrutimit është në përputhje me përkushtimin e EULEX-it për të punuar së bashku me Policinë e Kosovës për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet, si dhe me misionin e EULEX-it për mbështetjen e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies.