Lajme

EULEX-i e prezantoi punën e Njësisë Korrektuese të tij para përfaqësuesve të përfaqësive diplomatike të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë të cilët e vizituan Burgun e Sigurisë së Lartë në Podujevë

16 mars 2023

Më 14 mars, një delegacion i përfaqësuesve të përfaqësive diplomatike të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë vizitoi Burgun e Sigurisë së Lartë në Podujevë së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, Zëvendësuesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Sami Gashi, Shefin e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesin Special të BE-së, Tomáš Szunyog, Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark dhe Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Gjatë kësaj vizite, pjesëmarrësit patën mundësinë që të mësojnë më shumë rreth funksionimit dhe shërbimeve të ofruara nga Burgu i Sigurisë së Lartë, me fokus në mbështetjen konkrete të dhënë nga Njësia Korrektuese e EULEX-it për angazhimet e SHKK-së për të ofruar vlerësim dhe rehabilitim të qëndrueshëm të burgosurve në një mjedis të sigurt.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe e falënderoi BE-në për mbështetjen e dhënë në rehabilitimin dhe trajtimin e të burgosurve, duke nënvizuar se si këto  aktivitete janë jashtëzakonisht të vlefshme dhe përbëjnë pjesë të bashkëpunimit konkret në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë.

Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Sami Gashi, bëri një prezantim të shkurtë të punës së SHKK-së dhe përkushtimit të saj të fuqishëm për risocializimin e të burgosurve. Gashi, gjithashtu, e theksoi rëndësinë strategjike të Njësisë Korrektuese të EULEX-it si një partner i besueshëm ndërkombëtar për SHKK-në.

Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog, e theksoi rolin e BE-së në bashkëfinancimin e ndërtimit të këtij burgu, i cili u realizua nga financimi i përbashkët prej 14.5 milionë euro nga BE-ja dhe Qeveria e Kosovës.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, vuri në dukje se burgu i sigurisë së lartë është një institucion korrektues i nivelit të lartë dhe e përmendi mbështetjen afatgjate të dhënë nga EULEX-i për SHKK-në përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit.

Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vähäkoski, e prezantoi më në detaje punën e njësisë së saj për ofrimin e vlerësimit dhe rehabilitimit të qëndrueshëm të burgosurve në një mjedis të sigurt; për zhvillimin e një ekipi profesional të drejtuesve të lartë, si dhe për ofrimin e ekspertizës për të ndihmuar në zhvillimin e kuadrit ligjor. Vähäkoski theksoi përparimin e jashtëzakonshëm të arritur nga SHKK-ja, por gjithashtu përkujtoi sfidat që ende duhet të adresohen në disa fusha.

Vizita u përmbyll me një prezantim të shkurtë të funksionimit të burgut nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të tij, Xhevdet Maqastena, si dhe me një vizitë nëpër objekt, duke përfshirë zonën e vizitorëve ku të burgosurit mund të takohen me vizitorë të jashtëm, si dhe hapësirën ku zhvillohen punëtoritë, ku të burgosurit kanë mundësi të punojnë duke përfituar kështu një mjet thelbësor për riintegrimin e tyre të ardhshëm në shoqëri.