06 prill 2023
Nga data 14 mars deri më 6 prill, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi një seri prej shtatë punëtorish për përfaqësuesit e organeve të sundimit të ligjit, të fokusuara në promovimin e qasjes së përqendruar te viktimat për ta përmirësuar trajtimin e rasteve të abuzimit të fëmijëve dhe rastet e abuzimit seksual në Kosovë.
Në këto punëtori u bënë bashkë më shumë se 130 përfaqësues nga Policia e Kosovës, Zyra e Avokatit të Viktimave, prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të hetimeve regjionale, zyrtarë të Qendrës për Mirëqenie Sociale dhe avokatë mbrojtës nga regjionet e Mitrovicës, Pejës , Prizrenit , Gjilanit, Gjakovës,Ferizajit dhe Prishtinës.
Pjesëmarrësit analizuan raste studimore të ndryshme dhe diskutuan praktikat më të mira dhe standardet ndërkombëtare në lidhje me procesin e intervistimit të fëmijëve si viktima të abuzimit, si dhe rolin dhe përgjegjësitë e të gjithë zinxhirit të drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve.
Gjatë hapjes së punëtorive të para, Këshilltarja Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, e theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Misionit për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në luftimin e dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje, në përputhje me standardet ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Stambollit.
“Si pjesë e punës sonë monitoruese, EULEX-i gjithashtu nxjerr raporte specifike monitoruese të cilat përfshijnë rekomandime për autoritetet përkatëse të sundimit të ligjit. Në vitin 2022, Misioni nxori raportin 'Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimeve nga sistemi i drejtësisë në Kosovë', duke ofruar një vlerësim paraprak se si i trajton sistemi i drejtësisë së Kosovës rastet e cilësuara si dhunim”, shpjegoi Tagliani, duke shtuar se Misioni është gjithashtu i fokusuar në rritjen e vetëdijesimit të opinionit publik të Kosovës përmes fushatave informuese dhe avokuese për llojet e ndryshme të dhunës në baza gjinore.
Satu Hannele Varri, Monitoruese Kryesore Tematike e EULEX-it – Dhuna në baza gjinore, deklaroi se është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjitha palët e interesuara që të komunikojnë dhe shkëmbejnë përvoja për atë se si të përmirësohet trajtimi i rasteve të abuzimit të fëmijëve dhe abuzimit seksual, duke parë gjithashtu standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Varri ua prezantoi pjesëmarrësve të ashtuquajturin model Barnahus, i cili shpesh përmendet si një shembull i drejtësisë miqësore për fëmijët dhe aktualisht promovohet në nivel evropian nga Këshilli i Evropës: “Ky model përfaqëson një qasje shumë-profesionale ndaj fëmijëve viktima të abuzimit, dhe ka qëllim të dyfishtë për ta lehtësuar procesin ligjor dhe për të siguruar që fëmija ta merr mbështetjen dhe trajtimin e nevojshëm”. Ajo theksoi gjithashtu nevojën për t’i përfshirë shërbimet e mirëqenies së fëmijëve dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor, si punëtorët socialë, psikologët, pediatrit dhe mjekët ligjorë për t’i mbështetur sa më mirë fëmijët përgjatë gjithë procesit,.
Prokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Departamenti për të Mitur, Shpëtim Peci, tregoi se si duhet të trajtohet procesi i intervistimit nga institucionet e Kosovës në rastet që kanë të bëjnë me një të mitur: “Së pari, sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, viktima e abuzimit seksual që është e mitur nuk mund të intervistohet më shumë se dy herë për shkak të gjendjes psikologjike dhe ndjeshmërisë fizike”, shpjegoi Peci, duke shtuar se një modalitet korrekt i trajtimit të rastit të abuzimit të fëmijëve duhet të përfshijë psikologë dhe punonjës të mirëqenies sociale që nga momenti i raportimit të rastit në polici nga autoritetet shëndetësore deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
Kjo seri punëtorish ishte pjesë e projektit të shkallës së vogël të EULEX-it “Ngritja e kapaciteteve të institucioneve që e trajtojnë dhunën ndaj grave”.