Lajme

EULEX-i kontribuon në krijimin e oborreve shkollore më të gjelbra në Obiliq

04 maj 2023

Më 26 prill, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, Drejtoresha Komunale për Mbrojtje të Mjedisit, Fitore Hashani, Drejtori Komunal për Arsim, Sahit Zeqiri dhe Drejtori i Drejtorisë për Menaxhimin e Pyjeve në Agjencinë Pyjore të Kosovës, Menderes Ibra, iu bashkuan OJQ-së “Keep it Green” në mbjelljen e 150 fidanëve të dhuruara nga EULEX-i në oborrin e shkollës “Dr. Ibrahimi Rugova” në Obiliq.

Duke e hapur ceremoninë e mbjelljes së fidanëve, Drejtoresha e shkollës, Shyhrete Gashi, e falënderoi EULEX-in për mbështetjen e dhënë dhe rikujtoi përkushtimin e shkollës për t'ua mësuar fëmijëve rëndësinë e kujdesit për planetin tonë: “Ne e kemi vetëm një planet në të cilin jetojmë dhe nëse kujdesemi për tokën tonë atëherë ne kujdesemi edhe për shëndetin tonë”, theksoi Gashi.

Duke e ripohuar gatishmërinë e Misionit për të kontribuar në angazhimet për mbrojtjen e mjedisit jo vetëm në Obiliq, por në mbarë Kosovën, Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, theksoi se kjo është përgjegjësi e të gjithëve. Duke vënë në dukje se kjo është gjithashtu një çështje e sundimit të ligjit, Wigemark tha: "Krimet mjedisore si shpyllëzimi, prerja e paligjshme e drurëve dhe menaxhimi i paligjshëm i mbeturinave, janë shembuj se pse sundimi i ligjit është i rëndësishëm për mjedisin".

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, rikujtoi angazhimin e komunës në luftimin e ndotjes së mjedisit dhe theksoi nevojën për bashkëpunim ndërmjet palëve të ndryshme: “Komuna jonë dihet se është e ndotur shumë për shkak të termocentraleve. Fatmirësisht, komuna jonë ka filluar të ndryshojë pozitivisht. Dhe kjo, duke ju falënderuar bashkëpunimit mes institucioneve lokale dhe qendrore, duke përfshirë këtu përkrahjen e vazhdueshme të EULEX-it dhe organizatave ndërkombëtare”.

Gjatë javëve të kaluara, Misioni ka përkrahur mbjelljen edhe të 90 pishave në oborret e shkollave të mesme “Ismail Dumoshi” dhe “17 Shkurti” në Obiliq, si dhe në Plementin. Më 2 maj, “Keep it Green” i mbolli 120 fidanë në shkollën “Ibrahim Rugova” në Mazgit.

Këto aktivitete për mbjelljen e fidanëve janë pjesë e një projekti të përbashkët të EULEX-it dhe “Keep it Green” që synon kompensimin e pjesshëm të ndotjes (gjurmës së karbonit) të Misionit dhe të kontribuojë në zbutjen e efekteve të dëmshme të shkaktuara nga ndotja e ajrit në Kosovë.

Iniciativa ka filluar në Ditën e Tokës, më 22 Prill 2022, kur Misioni mbolli 3,200 fidanë pishe në zonën e ndaluar të termocentralit Kosova A në Obiliq. Më 30 maj, EULEX-i dhe “Keep it Green” mbollën fidanë në oborrin e shkollës “Naim Frashëri në Gllogoc, ndërsa më 7 nëntor 2022 ata i mbollën 40 fidanë në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës.