Lajme

“Secili ka të drejtën themelore për të jetuar jetën ashtu siç dëshiron dhe askush nuk është imun ndaj dhunës” Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Nën-Kolonele Zylfije Dema na shpije nëpër të arriturat dhe sfidat në luftimin e diskriminimit

17 maj 2023

Sot ne shënojmë Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, që na jep rast të reflektojmë mbi sfidat e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë në gëzimin e të drejtave të tyre të njeriut dhe të sensibilizohemi për diskriminimin, dhunën dhe paragjykimet që ky komunitet i hasë në vazhdimësi.

Palë kyçe për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë njerëzve, pavarësisht orientimit seksual, identitetit gjinor apo çfarëdo karakteristike tjetër, është Policia e Kosovës. Për të mësuar më shumë rreth punës së këtij institucioni të zbatimit të ligjit dhe për të kuptuar më mirë rolin që ka për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë, ne zhvilluam një bisedë me Nën-Kolonele Zylfije Dema, Drejtoreshë e Drejtorisë për policimin në komunitet dhe parandalimin e krimit në Shtabin e Policisë së Kosovës në Prishtinë.

“Detyra primare e Policisë së Kosovës është respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Çfarëdo shkelje e këtyre të drejtave kundër çfarëdo grupi të njerëzve është e pajustifikueshme dhe e patolerueshme,” thotë Dema me këmbëngulje. “Ne jemi reaguesit e parë për parandalimin dhe luftimin e krimeve të urrejtjes, ku përfshihen krimet që shënjestrojnë individë për shkak të orientimit seksual, racës, fesë, etnisë dhe gjinisë, dhe kështu, krimet kundër komunitetit LGBTIQ+”, shpjegon ajo, duke shtuar: “Ne po ashtu jemi shumë të përkushtuar për ofrimin e mbështetjes për viktimat e këtyre krimeve,” thotë Dema, duke theksuar se siguria e secilit është një nga parimet thelbësore të shoqërive demokratike.

Për fuqizimin dhe avancimin e profesionalizmit të Policisë së Kosovës, janë hartuar një procedurë standarde e operimit mbi qasjen policore gjatë trajtimit të rasteve që përfshijnë persona LGBTIQ+  dhe udhërrëfyes që u ndihmojnë zyrtarëve policorë për identifikimin e krimeve të urrejtjes.

Përgjatë viteve, Policia e Kosovës ka investuar në burimet njerëzore për sensibilizim dhe përmirësim të profesionalizmit të reaguesve të parë, në mënyrë që viktimat e krimeve të urrejtjes të mund të marrin mbështetjen më të mirë, ku viktima do të vihej në qendër. Përveç kësaj, zyrtarët policorë që përgjigjen në incidentet që përfshijnë individë LGBTIQ+ janë të trajnuar në mënyrë specifike për të qenë të vetëdijshëm për kulturën, të jenë të respektueshëm dhe jodiskriminues në qasjen e tyre. “Gjatë trajtimit të krimeve të urrejtjes, në rastin aktual kundër komunitetit LBTIQ+, Policia e Kosovës është e përkushtuar të sigurojë që viktima të jetë në qendër të të gjitha masave që duhet të ndërmerren. Ne e sigurojmë këtë përmes fokusimit në sigurinë dhe mosrrezikshmërinë e viktimës, privatësinë e tyre, konfidencialitetin, respektin dhe mosdikriminimin,” shpjegon Dema.

Trajnime specifike të organizuara nga Policia e Kosovës përgjatë viteve janë fokusuar në luftimin e gjuhës së urrejtjes dhe të poshtërimit, me qëllim të mbrojtjes së mirëqenies dhe sigurisë së viktimave të krimit të urrejtjes. “Këto lloje të trajnimeve kanë ndihmuar në mënyrë domethënëse në reduktimin e viktimizimit të mëtejmë të viktimave dhe rrjedhimisht kanë krijuar një mjedis më të sigurt dhe besim të shtuar tek policia,” shpjegon Dema.

Ajo gjithashtu ritheksoi rëndësinë e zyrave që në qendër kanë viktimën: hapësira përfshirëse brenda objekteve të Policisë së Kosovës, që janë krijuar falë mbështetjes së EULEX-it dhe komunitetit ndërkombëtar dhe që luajnë rol kryesor për ofrimin e një mjedisi të sigurt dhe të rehatshëm për mbajtjen e intervistave. “Viktimat e kësaj natyre trajtohen në një mënyrë shumë të ndjeshme dhe unike. Ne sigurohemi që ato të marrin të gjithë mbështetjen e nevojshme juridike, të sigurisë dhe morale përgjatë tërë procesit të hetimeve,” thekson Dema.

Përgjatë viteve, ura e komunikimit mes Policisë së Kosovës dhe komunitetit LGBTIQ+ është fuqizuar, dhe policia bënë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës. “Ne kemi kontakte dhe takime të rregullta me komunitetin LGBTIQ+ ku diskutojmë për çështje dhe sfida të ndryshme. Ne gjithashtu sigurohemi që të kontaktohemi kurdo që është e nevojshme,” potencon Dema.

Gjatë vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjashtë raste të krimeve të urrejtjes që në mënyrë specifike kanë shënjestruar komunitetin LGBTIQ+, dhe Policia e Kosovës vazhdimisht sigurohet që komuniteti LGBTIQ+ të ketë besim në këtë institucion dhe t’i qaset kurdo që ka nevojë.

Policia e Kosovës gjithashtu ka edhe raporte dhe bashkëpunim të fuqishëm me OJQ-të vendore dhe organizatat ndërkombëtare të cilat ndihmojnë në ngritjen e vetëdijesimit në mesin e popullatës së përgjithshme mbi të drejtat e komunitetit LGBTIQ+.

Policia e Kosovës ka organizuar fushata të shumta sensibilizuese nëpër shkolla fillore, shkolla të mesme dhe universitete nëpër Kosovë, që kanë përfshirë ligjërata, fletushka informative si dhe spote televizive për promovimin e të drejtave të barabarta, mosdiskriminimin dhe gjithpërfshirjen për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Sensibilizimi i përgjithshëm për këtë temë ka evoluuar gjatë viteve, me shumë zhvillime pozitive. Megjithatë, sfidat në këtë fushë ende vazhdojnë. “Ende ka shumë për t’u bërë. Ne duhet të vazhdojmë të avokojmë se të gjithë njerëzit kanë të drejta të barabarta dhe kanë të drejtë të trajtohen pa paragjykim dhe pa diskriminim,” thekson Dema.

Krahas të qenët aktive në teren, Policia e Kosovës ka edhe zyrtarë policorë që monitorojnë dhe drejtpërdrejt merren me raste të krimeve kibernetike. Siç thekson Dema: “Sapo të marrin njoftim për ndonjë ngacmim kibernetik dhe ndonjë krim potencial, ne menjëherë ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’u siguruar që të izolojmë krimin dhe të nisim hetime të mundshme.”

Përgjatë 24 viteve të përvojës në Policinë e Kosovës, Nën-Kolonele Zylfie Dema ka shërbyer në pozita të ndryshme udhëheqëse. Pozitën e drejtoreshës së Drejtorisë për policim në komunitet dhe parandalim të krimit e ushtron pothuajse qe një vit. Ajo e kupton se çelësi i suksesit të saj ka qenë mbështetja nga familja dhe kolegët e saj.

Në shtëpi, ajo është bashkëshorte dhe është nënë e dy fëmijëve, dhe përpiqet që gjatë kohës që nuk është e angazhuar në punë të shijojë sa më shumë kohë cilësore.

“Secili ka të drejtën themelore për të jetuar jetën ashtu siç dëshiron dhe askush nuk është imun ndaj dhunës,” thekson Dema, duke ua kujtuar të gjithëve që të jenë tolerant, të kuptueshëm, dhe empatik drejt të gjithë njerëzve pa dallim.