Lajme

EULEX e përfundoi trajnimin për zbatimin e Protokollit për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale

19 maj 2023

Më 19 maj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë e përfundoi sesionin e fundit nga gjithsej tre sesione trajnimi për 70 hetues të Policisë së Kosovës, mbrojtës të viktimave, mjekë ligjorë, gjyqtarë dhe prokurorë mbi zbatimin e Protokollit për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale.

Këto sesione trajnimi u përqendruan në përmbajtjen dhe qëllimin e Protokollit, nevojën për një qasje të përqendruar te viktima dhe rëndësinë e një qasjeje efektive dhe të koordinuar shumë-sektoriale gjatë trajtimit të rasteve të dhunës seksuale.

Përgjatë të gjitha sesioneve të trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësi që të diskutojnë dhe të punojnë në grupe ku i ndanë përvojat profesionale, sfidat dhe shqetësimet e tyre në trajtimin e këtyre rasteve të ndjeshme. Ndër të tjera, u theksua se duhet të forcohet komunikimi ndërinstitucional dhe t'i jepet fund paragjykimeve shoqërore ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Në muajt në vijim, Misioni së bashku me Akademinë e Drejtësisë së Kosovës dhe Njësinë për Trajnime të Policisë së Kosovës, do ta zhvillojnë një planprogram të standardizuar për zyrtarët që merren me rastet e dhunës seksuale.