Lajme

EULEX-i dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi prezantojnë raportin e tretë të monitorimit të seancave dëgjimore nga qytetarët

08 qershor 2023

Më 8 qershor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe partneri i tij Instituti i Kosovës për Drejtësi prezantuan raportin ‘Drejtësia në sytë e qytetarëve: Raporti i tretë i monitorimit të seancave dëgjimore nga qytetarët’.

Raporti është rezultat i një projekti të mbështetur nga EULEX-i me titull ‘Ndërtimi i besimit në sistemin gjyqësor dhe realizimi i shtuar i të drejtave të njeriut përmes monitorimit të seancave dëgjimore nga qytetarët’, i cili është zbatuar nga IKD. Qëllimi i këtij projekti është që qytetarëve t’u mundësohet të shohin nga afër procedura gjyqësore në fushën penale dhe të kuptojnë se si funksionon sistemi i drejtësisë në bazë të bindjeve të tyre dhe pa interpretime nga të tjerët.

Për zbatimin e projektit, IKD angazhoi 20 qytetarë si monitorues laikë, të cilët morën pjesë në monitorimin e 600 seancave dëgjimore për raste penale nëpër Kosovë. Përmes këtij projekti, IKD dhe EULEX synojnë monitorimin e transparencës dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe lirive në gjykatat e Kosovës.

Gzim Shala, menaxheri i programeve dhe hulumtues ligjor i lartë në IKD, theksoi se përmes monitorimeve laike, qytetarët mund të kërkojnë llogari nga institucionet e drejtësisë. “Pas monitorimit të 600 procedurave gjyqësore, monitoruesit laikë kuptuan më qartë mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë. Shumica e monitoruesve kanë thënë se në fillim të procesit të monitorimit ata nuk kishin patur një përshtypje të mirë për sistemin e drejtësisë. Megjithatë, kjo ka ndryshuar për të mirë pasi i kanë përfunduar monitorimet. Po ashtu ka patur nivel të kënaqshëm të transparencës gjatë procedurave gjyqësore,” shtoi Shala.

Shefi i Shtyllës së EULEX-it për monitorime, Benny Tollestrup Jensen, tha: “Përmes monitorimeve laike, qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre thelbësore për monitorimin e procedurave gjyqësore, dhe kjo hapë dyert për ta për në këtë entitet abstrakt të quajtur sistem gjyqësor. Pas dy fazave të suksesshme të këtij projekti, IKD, me mbështetjen e EULEX-it, vazhdoi me fazën e tretë të zbatimit. Përmes fuqizimit të njerëzve të rëndomtë, ne fuqizojmë ndërtimin e besimit në Kosovë.”

Naim Jakaj, hulumtues ligjor në IKD, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti duke theksuar se prej 600 seancave gjyqësore, 559 prej tyre ishin të hapura për publikun, çka dëshmon se sistemi është transparent. Gjetjet po ashtu tregojnë se gjyqtarët ishin shumë të hapur për monitoruesit laikë dhe publikun.

Gjatë prezantimit të raportit, monitoruesit laikë që morën pjesë në projekt shprehën falënderimin e tyre për pjesëmarrje në këtë proces, duke shtuar se kjo i ka ndihmuar atyre tej mase për të fituar një pamje më të qartë mbi punën e sistemit gjyqësor.

Raportin mund ta gjeni këtu: https://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/KLIReport2023.pdf