09 qershor 2023
Më 7 qershor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi një ndejë
lamtumire për Shefin e tij të Misionit, Lars-Gunnar Wigemark, i cili pritet të përmbyllë mandatin e tij
gjatë qershorit 2023. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Parlamentit Glauk Konjufca,
Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, krerë të organizatave
ndërkombëtare, Ambasadorë, përfaqësues të partive politike, organizatave të shoqërisë civile, dhe
mediave, si dhe stafi i EULEX-it u mblodhën në këtë pritje zyrtare për t’i thënë lamtumirë Shefit të
Misionit EULEX.
Wigemark falënderoi partnerët vendas të Misionit dhe stafin e EULEX-it për bashkëpunimin e tyre dhe
shtoi se lamtumira asnjëherë nuk është e lehtë. “Kur erdha për herë të parë në Prishtinë si diplomat
suedez i ri në moshë para më shumë se 30 viteve, këtu mbretëronte një frymë e represionit dhe
depresionit që më vonë do të shpërthente në një konflikt të dhunshëm. Kur u ktheva pas shumë vitesh
dhe në rrethana tjera si një përfaqësues i Bashkimin Evropian, organizatë në të cilën shteti im as nuk
ishte i anëtarësuar kur erdha për herë të parë në fillim të viteve 90-ta, gjeta një atmosferë krejt ndryshe
e mbushur me energji dhe shpresë. Dhe një popullsi të re në moshë në kërkim të një të ardhmeje më të
mirë,” tha Wigemark, duke shtuar: “Kanalizimi i aspiratave të qytetarëve të rëndomtë të Kosovës, cilitdo
komunitet dhe përkatësi etnike që i takojnë, ka qenë një prej ambicieve të mia kryesore si Shef i EULEX-
it. Kjo është një rrugë që përfundimisht do të shpije në integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe
Ballkan Perëndimor paqësor.”
Gjatë pritjes zyrtare, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, dha një fjalim të përzemërt, ku
rrjedhshëm ilustroi atë që partneriteti solid mes Kosovës dhe EULEX-it mund të bëjë: “Ky është një prej
atyre rasteve kur ne festojmë partneritetin tonë, por njëkohësisht shprehim keqardhjen tonë që një njeri
që ka kontribuar kaq shumë për këtë partneritet do të vazhdojë të na vëzhgojë nga pak më larg. Kjo po
ashtu është një mundësi e shkëlqyer për të shprehur mirënjohjen tonë, falënderimet tona për të gjitha
që ju [z. Wigemark] keni bërë gjatë këtyre viteve, dhe [falënderimet tona] për përfaqësimin e diplomatit
që e njeh kontekstin, diplomatin që ka qenë këtu kur shumica prej nesh ishim fëmijët e kohës së para
tridhjetë viteve në mesin e të shtypurve, por edhe diplomatin që sot e kupton dhe vazhdon ta
konsiderojë Kosovën partner të vërtetë për sundim të ligjit, demokraci dhe drejtësi. Dhe ashtu siç e thotë
edhe vet motoja e EULEX-it, gjatë këtyre pak viteve ju keni arritur të ktheni EULEX-in nga një Mision me
imazh jo shumë të mirë – nëse mund të jem shumë e sinqertë – në një Mision që secili e konsideron
partner të vërtetë për drejtësi. Sepse partneritetet janë – unë besoj – fuqitë tona më të mëdha.”
Mbrëmja vazhdoi me fjalimin e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili kujtoi bisedat dhe diskutimet
me Shefin e EULEX-it për tema të ndryshme. “Në vitin 2008, kur EULEX-i me pushtetin e tij të gjerë
ekzekutiv zbarkoi në Kosovë, nuk isha aq i lumtur. Sonte, 15 vjet më vonë, kur duhet t’i themi
lamtumirën Larsit, përsëri nuk jam aq i lumtur,” tha Kryeministri Kurti, i cili ngreu dolli për Shefin e
EULEX-it për të gjitha që ka bërë për Kosovën dhe njerëzit e saj.
Lars-Gunnar Wigemark filloi detyrën si Shef i EULEX-it në janar 2020. Ai do të përmbyllë detyrën e tij në
qershor 2023.