31 maj 2023
Më 31 maj, Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm (ZSP) për paqe, siguri dhe mbrojtje i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Charles Fries, përmbylli vizitën e tij dyditore në Kosovë. Kjo vizitë zyrtare ishte rast që ZSP Fries të takohej me autoritete të Kosovës dhe të informohej nga burime parësore mbi sundimin e ligjit dhe gjendjen e sigurisë në Kosovë. Gjatë vizitës, ai po ashtu analizoi punën e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në mbështetjen e institucioneve të Kosovës, falë informimeve të detajuara të bëra nga stafi i EULEX-it. I shoqëruar nga Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/PSBE, Tomáš Szunyog, ZSP Fries filloi vizitën e tij më 30 maj me takimin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, me të cilën ai diskutoi për çështjet kryesore të sundimit të ligjit duke u përqendruar në situatën aktuale të sigurisë në Kosovën veriore. Gjatë takimit, ZSP Fries ritheksoi nevojën që të dyja palët të angazhohen në dialogun e facilituar nga BE-ja për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që garanton mosrrezikshmëri dhe siguri për të gjithë dhe që trason rrugën për zbatimin e marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas këtij takimi, ZSP takoi Zëvendëskryeministrin e parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi, me të cilin diskutoi për progresin e Kosovës vis-à-vis agjendës evropiane, duke shprehur njëkohësisht vlerësimin për rreshtimin e plotë të Kosovës me Politikën e përbashkët të BE-së për punë të jashtme dhe siguri.
Më pastaj, ZSP pati takim me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku u përqendrua mbi rëndësinë e reformës së vazhdueshme në drejtësi, përkushtimin e Kosovës për adresimin e luftës kundër dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje, si dhe përkushtimin e saj për trajtimin e çështjes së krimeve të luftës.
ZSP Fries po ashtu shkëmbeu pikëpamje rreth situatës aktuale të sigurisë me Komandantin e Forcës së NATO-s në Kosovë - KFOR, Gjeneral Major Michele Ristuccia. Ai shprehu solidarizimin e tij me trupat e KFOR-it të lënduar në detyrë gjatë përleshjeve të dhunshme që kanë ndodhur kohëve të fundit në Zveçan.
Gjatë ditës së parë, ZSP Fries po ashtu pati mundësinë të vizitonte objektet e EULEX-it në Fushë Kosovë, si dhe Shtabin e Misionit në Prishtinë, ku u informua detajisht nga Shefi i EULEX-it dhe stafi tjetër i Misionit mbi punën e EULEX-it në mbështetje të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë.
Në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës së tij, visit, ZSP Fries pati takim në Prishtinë me Ministrin e Kosovës për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla, me të cilin diskutoi për zhvillimet e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, duke ritheksuar thirrjen urgjente të Përfaqësuesit të lartë/Nën-Presidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, për masat që duhet të ndërmerren për shtensionimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të situatës, për shmangien e çdo veprimi tjetër të njëanshëm dhe për rikthimin e qetësisë.
ZSP po ashtu vizitoi Qendrën e EULEX-it në Mitrovicë, ku mori pjesë në një demonstrim nga Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it.
Më pastaj ai vazhdoi për në pjesën veriore të Kosovës, ku, pas një ecjeje të shkurtër përgjatë urës, ai takoi Zëvendëskomandantin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë Veri, Veton Elshani.
Zëvendëssekretari i përgjithshëm po ashtu shkëmbeu pikëpamje me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në pjesën veriore të Kosovës, të cilët ndanë shqetësimet e tyre të thella rreth mjedisit aktual të sigurisë.
Gjatë kohës sa ishte në pjesën veriore të Kosovës, ZSP Fries poashtu pati takim me udhëheqësit e Listës Serbe, përkatësisht me Goran Rakić dhe Igor Simić.
Ai përmbylli vizitën e tij me takimin me Zëvendëskryeministren e dytë të Kosovës dhe Ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, në Prishtinë. Gjatë takimit, ZSP Fries ritheksoi vlerësimin për rreshtimin e Kosovës me Politikën e Përbashkët Evropiane për Punë të Jashtme dhe Siguri, duke e mirëpritur solidarizimin e treguar nga Kosova për Ukrainën.