17 qershor 2023
Më 16 dhe 17 maj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi dy punëtori me temë “Gratë në Shërbimin Korrektues të Kosovës: Arritjet dhe kontributi”, që mblodhën 47 gra që punojnë në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK).
Punëtoritë kishin për qëllim diskutimin e kontributit esencial që gratë japin në punën e përditshme të SHKK-së dhe për t’iu ndihmuar atyre të vizualizojnë dhe të definojnë rrugëtimet e tyre në karrierë.
Në hapje të diskutimeve interaktive, Udhëheqësja e Njësisë korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, theksoi rëndësinë e definimit të synimeve të karrierës dhe kuptimit të fuqive personale dhe profesionale gjatë planifikimit të karrierës, në veçanti në botën e shërbimit korrektues. “Shihni besimet dhe kuptimet që mund t’i keni pengesa dhe identifikoni se cilat njohuri apo shkathtësi të reja do të ju ndihmojnë për arritjen e synimeve tuaja,” tha Vahakoski dhe shtoi: “Kur ju të bëni identifikimin e mbështetësve tuaj, mos harroni ta përfshini edhe veten tuaj. Aleati më i fortë i juaj jeni vet ju. Dhe e kundërta, mos harroni t’i mbështetni koleget tuaja, meqë pas çdo gruaje të fortë qëndron një ‘fis’ i tërë i grave të tjera të suksesshme që e mbështesin.”
Udhëheqësja e Divizionit të burimeve njerëzore të EULEX-it, Anita Janassary, theksoi nevojën për krijimin e një fuqie punëtore me më shumë baraspeshë gjinore dhe një kulturë të punës të barabartë për të gjithë. Janassary prezantoi një nga objektivat e punëtorive: të njihet roli esencial i grave që janë të punësuara në SHKK për sigurimin e funksionimit të duhur dhe efektiv të shërbimit. “Kontributi juaj individual për SHKK-në nuk është vetëm jashtëzakonisht i çmuar, por edhe i domosdoshëm. Pa përfaqësim gjinor të barabartë të stafit në SHKK, thjeshtë do të ishte e pamundur që SHKK të arrijë misionin që ka,” theksoi Janassary.
Punëtoritë janë organizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i mëtejmë i grave të punësuara në Shërbimin Korrektues të Kosovës” si pjesë e mbështetjes afatgjate e Misionit për gratë e punësuara në SHKK dhe Shoqatën e grave të SHKK-së.