Lajme

EULEX-i dhe Iniciativa rinore për të drejtat e njeriut - Kosovë fuqizojnë nxënës të shkollave fillore përmes ligjëratave mbi të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit

30 maj 2023

Gjatë periudhës shkurt deri maj 2023, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe partneri i tij Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (IRDNJ) mbajtën 15 ligjërata mbi temën e drejtësinë në dhjetë shkolla nëpër Kosovë dhe organizuan pesë vizita studimore në gjykata themelore të ndryshme në Kosovë përmes projektit “Fuqizimi i rinisë – avancimi i edukimit mbi të drejtat  e njeriut dhe sundimin e ligjit në shkolla.” Qëllimi i këtyre aktiviteteve ishte sensibilizimi mbi parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në mesin e më shumë se 520 nxënësve të shkollave fillore të cilët morën pjesë në ligjërata dhe vizita studimore.

Projekti filloi me një kurs të trajnimit treditor për studentët e Fakultetit juridik për mbajtjen e ligjëratave të organizuara nga IRDNJ, me qëllim që ata të njoftohen me teknikat e të folurit në publik dhe me metodologjitë e ligjërimit.           

Hapi i dytë i projektit kishte paraparë organizimin e një trajnimi intensiv treditor për 15 mësimdhënës të lëndës së edukimit qytetar të shkollave fillore prej pesë komunave me qëllim që këta mësimdhënës të përvetësojnë shkathtësitë e nevojshme për të mbajtur mësim mbi parimin e të drejtave të njeriut, drejtësinë, dhe sundimin e ligjit para fëmijëve të moshave të ndryshme.

Nga muaji mars deri të maj, përfaqësuesit e EULEX-it dhe të IRDNJ-së iu bashkëngjitën studentëve të trajnuar më parë gjatë adresimit para nxënësve të shkollave fillore në komunat e Vitisë, Vushtrrisë, Shtimes, Fushë Kosovës dhe Prizrenit, duke e prezantuar punën e EULEX-it në Kosovë dhe duke diskutuar për parimet themelore të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Në këtë mënyrë nxënësit u njoftuan me sundimin e ligjit si bosht i çdo shoqërie demokratike, mbrojtjen e individëve nga keqtrajtimi dhe padrejtësia dhe krijimi i një sistemi që kërkon llogari prej popullit dhe institucioneve, duke siguruar kështu trajtim të barabartë të secilit.

Në fund, pesë grupe të studentëve patën mundësinë që të mësojnë më shumë edhe për funksionimin e gjykatave në Kosovë dhe parimet themelore të drejtësisë penale përmes vizitave studimore në Gjykatat themelore të Gjilanit, Mitrovicës – dega në Vushtrri, Ferizajt, Prishtinës, dhe Prizrenit.