25 qershor 2023
Në intervistën e tij të fundit si Shef i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark foli për punën e tij në Kosovë, gjersa rrëfeu për sfidat me të cilat është përballur dhe trashëgiminë që po lë pas.
Ju keni qëndruar në Kosovë për tri vite, a mund të na tregoni si ka qenë eksperienca e juaj dhe cilat kanë vështirësitë dhe të arriturat?
Puna dhe jeta në Kosovë gjatë këtyre tri viteve e gjysmë me të vërtetë më ka pëlqyer. Kam gjetur ngrohtësi dhe mikpritje në mesin e vendasve të cilët i kam takuar si profesionalisht ashtu edhe shoqërisht, dhe asnjëherë nuk kam hasur në ndonjë rrezik apo kërcënim. Do të dëshiroja që më shumë njerëz të kishin mundësinë të njohin Kosovën siç e njoha unë. Meqë mua më pëlqen të eci nëpër natyrë, unë po ashtu pata mundësinë të eksploroja bukuritë natyrore të Kosovës.
Udhëheqja e EULEX-it nuk është detyrë e lehtë. EULEX-i ende është misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje përkundër reduktimeve që janë bërë në fushëveprimin e mandatit dhe në staf përgjatë viteve. Ende, mandati i Misionit sillet nga monitorimi i sistemit të drejtësisë, tek personat e zhdukur dhe siguria. Puna ishte shumë më interesante dhe nxitëse sesa që kisha pritur. Si Shef i Misionit, kam drejtuar EULEX-in nëpër një sërë sfidash të ndërlikuara, duke filluar me vërtetimin e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për ish Presidentin Thaçi dhe figurave të tjera publike, si dhe disa kriza të tjera në Kosovën veriore. Të mos harrojmë se të gjithë kemi kaluar nëpër pandeminë COVID-19. Gjatë pandemisë, EULEX-i ishte një prej të paktë misioneve civile të Politikës së Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje që qëndroi operacional. Megjithatë, unë besoj se kam arritur t’ia dal me sukses dhe të trajtojë të gjitha krizat përmes shfrytëzimit të kapaciteteve operacionale dhe monitoruese të Misionit në mënyrë transparente njëkohësisht duke zhvilluar kontakte të ngushta si me qeverinë aktuale, opozitën dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, në veçanti serbët e Kosovës. Si rezultat, EULEX-i ka luajtur rol të rëndësishëm për uljen e tensioneve në fund të vitit të kaluar dhe aktualisht gëzon imazh dhe reputacion më pozitiv si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, si dhe pranim të vërtetë nga homologët e tij vendas të sundimit të ligjit. Si pasqyrim i këtyre arritjeve, Presidentja e Kosovës së fundmi më ka nderuar me Medalje presidenciale për sundim të ligjit. Nuk mendoj se ka mënyrë më të mirë të përmbylljes së shërbimit tim në Kosovë.
Z. Wigemark, ju keni shërbyer edhe në Bosnje e Hercegovinë, a mund të na tregoni për dallimet mes Bosnjës dhe Kosovës në lidhje me problemet që ballafaqohen këto dy shtete?
Të filloj me ngjashmëritë mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, dy vende që i kam afër zemrës që kur pata mundësinë të punoja në to. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina punojnë shumë për zbatimin e reformave dhe për fuqizimin e institucioneve të tyre me mbështetjen e një pranie ndërkombëtare të fortë, përfshirë BE-në. Gjithashtu, të dyja ende ballafaqohen me trashëgiminë e luftës – me mijëra viktima kërkesat e të cilëve për drejtësi mbetet të papërgjigjura. Dhe çështja e personave të zhdukur. Nuk është normale, e as e pranueshme që familjarët e personave të zhdukur si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë të mos e dinë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre. Pa adresimin e këtyre dy çështjeve, pajtimi do të pësojë dhe mund të mos ketë paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
Tani, për dallimet, sfidat politike dhe juridike të Bosnjës e Hercegovinës janë në mënyra të caktuara më të mëdha se problemet në Kosovë. Njëkohësisht, fakti që Kosova ende nuk është e njohur nga shumë vende, përfshirë nga pesë Shtetet Anëtare të BE-së, nuk është në mesin e sfidave që BeH ka. Mundësia për të udhëtuar lirshëm mes dy shteteve pa viza duhet t’i inkurajojë qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës për t’u takuar dhe për të zhvilluar raportet e tyre në të gjitha nivelet. Si shoqëri shumetnike me popullsi të re në moshë të dyja vendet kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe meritojnë një të ardhme më të mirë sesa e kaluara.
Gjatë kohës suaj në Kosovë, situata në veri ka qenë vazhdimisht e tensionuar. Sa ka qenë sfidë kjo për EULEX-in meqë keni njoftuar për prani të grupeve të personave të armatosur të strukturave paralele?
Po, përmes pranisë në Kosovën veriore të pjesëtarëve të Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it, si dhe këshilltarëve tanë policorë të lartë dhe stafit tjetër, ne kemi parë vitin e kaluar një prani të konsiderueshme dhe brengosëse të armatosur në barrikadat e ngritura në Kosovën veriore. Ne po ashtu kemi qenë dëshmitarë të sulmeve me granata dore apo shok-bomba dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar disa persona dhe janë shkaktuar dëme materiale. Të jem i qartë këtu: nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për kryerësit e dhunës kushdo qofshin ata. Sistemi i drejtësisë duhet t’i trajtojë këto raste në mënyrë profesionale dhe të paanshme duke respektuar të drejtat themelore të të akuzuarve apo të dyshuarve për kryerjen e akteve të dhunshme pavarësisht përkatësisë etnike të tyre. Dhe EULEX-i do të jetë aty për të monitoruar se si ato raste trajtohen nga institucionet e Kosovës.
Përveç këtyre shqetësimeve, kriminaliteti në veri është po ashtu brengosës. Institucionet e sundimit të ligjit duhet të vazhdojnë të punojnë shumë në mënyrë që grupet kriminale që operojnë atje të mos e shfrytëzojnë vakumin e sigurisë që është krijuar pas dorëheqjes të zyrtarëve policorë serbë të Kosovës. Gjatë kësaj pune, Policia e Kosovës duhet të respektojë procese të duhura dhe të punojë ngushtë me gjyqësorin e Kosovës për të siguruar që kushdo që dyshohet për kryerje të ndonjë krimi të rëndë të sillet para drejtësisë në atë mënyrë ku respektohen të gjitha procedurat dhe kriteret ligjore sipas ligjeve të Kosovës.
Sfidat e konsiderueshme në Kosovën veriore nuk hasen vetëm nga EULEX-i. Ato hasen edhe nga autoritetet e Kosovës, KFOR-i, si dhe popullata vendore jeta e të cilëve është ndryshuar për të keq për shkak të tensioneve në teren. Hapat për qetësim dhe de-eskalim nevojiten në mënyrë të menjëhershme për interesin e sigurisë së Kosovës dhe mirëqenien e të gjitha komuniteteve të saj.
Zgjedhjet në veri kanë shkaktuar shumë incidente, me sulme mbi policinë, gazetarët dhe KFOR-in. A mendoni se këto incidente do të mund të ishin shmangur?
Në fakt, zgjedhjet e pjesshme të datës 23 prill janë mbajtur pa ndonjë incident madhor. Dhuna e rëndë – dhuna e papranueshme do të nënvizoja, shpërtheu në fund të muajit maj duke lënë shumë persona të lënduar, përfshirë qytetarë, gazetarë, zyrtarë policorë, dhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it. Pavarësisht përpjekjeve të koncertuara nga ana e komunitetit ndërkombëtar, tensionet në teren vazhdojnë të jenë të larta. Ne jemi dëshmitarë të incidenteve pothuajse çdo ditë, të retorikës së nxehtë, dhe të një situate jostabile të sigurisë në Kosovën veriore, si dhe të një vakumi të sigurisë dhe sundimit të ligjit. Popullata vendase në Kosovën veriore ndjehet e pasigurt, dhe jeta e tyre e përditshme është prekur për të keq. Situata aktuale në Kosovën veriore nuk mund të bëhet normaliteti i ri. Duhet të ketë de-eskalim të menjëhershëm, zgjedhjet e reja në veri duhet të mbahen sa më parë që është e mundur dhe me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Një zgjidhje afatgjate mund të gjendet vetëm përmes dialogut të fasilituar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është parësore për Kosovën, Serbinë, për rajonin dhe për BE-në.
Si qëndron Kosova krahasuar me vendet e tjera të rajonit sa i përket sundimit të ligjit, meqë ka shume pakënaqësi me punën e prokuroreve dhe gjyqtarëve?
Ndonëse nuk e konsideroj veten ekspert për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, unë mendoj se po të lexohen raportet e Komisionit, ato japin një pasqyrë të qartë mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë në Ballkanin perëndimor. Është e vërtetë se administrimi i përgjithshëm i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i ngadaltë dhe shpesh joefikas. Gjithashtu është e vërtetë se institucionet e sundimit të ligjit duhet të fuqizohen edhe më tej. Ne po ashtu do të donim të shihnim më shumë progres në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të caktuara të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë.
Megjithatë, ne gjithnjë duhet të kemi në mendje pikënisjen. Ishte vetëm pesë vite më parë, jo aq larg, që prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it përfunduan ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve në Kosovë. Autoritetet e Kosovës morën përsipër përgjegjësinë për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve në të gjitha nivelet në qershor 2018. Për herë të parë në Kosovën e paskonfliktit sistemi vendas i drejtësisë nuk përfshinte më gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe u bë plotësisht përgjegjës për trajtimin e të gjitha rasteve, përfshirë më të ndërlikuarat. Kjo nuk është për të thënë se çdo gjë është e përsosur. Ende ka shumë hapësirë për përmirësime. Fushat ku ne do të donim të shihnim përmirësime janë të cekura në raportet e EULEX-it nga monitorimi në drejtësi, të cilët përmbajnë gjetje dhe rekomandime për autoritetet e Kosovës e të cilat kanë për qëllim adresimin e mangësive të identifikuara dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Unë besoj se është e rëndësishme që EULEX-i të vazhdojë të punojë krah për krah me institucionet kosovare të sundimit të ligjit ngase ne kemi një synim të përbashkët: ta bëjmë sistemin e drejtësisë të qasshëm për secilin dhe të besueshëm për publikun.