Lajme

Donacioni nga EULEX-i për Institutin e Mjekësisë Ligjore ndihmon për ngritjen e sigurisë dhe parandalimin e kontaminimit biologjik

08 gusht 2023

Më 8 gusht, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ia dorëzoi ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML), Dr. Ditor Haliti, donacionin e përbërë prej pajisjeve të TI-së, orendive për laboratorin e antropologjisë dhe koshave për mbeturina biologjike të rrezikshme.

Gjërat e dhuruara do t’i ndihmojnë stafit të IML-së për ndarjen dhe grumbullimin e mbeturinave të rrezikshme, duke ndihmuar kështu për ngritjen e sigurisë të mjedisit të punës, si dhe për uljen e rreziqeve të ndotjes mjedisore nga kontaminuesit biologjik. 

Me rastin e donacionit, Dr. Haliti bëri një prezantim të objektit për z. Barbano dhe prezantoi punën e ndërlikuar të IML-së, me theks të veçantë mbi përpjekjet për gjetjen e fatit të personave të pagjetur, duke theksuar kontributin e rëndësishëm dhënë nga ekspertët e EULEX-it për këto përpjekje.

Donacioni ishte pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të EULEX-it për IML-në, dhe, në veçanti, do të jetë plotësim i punës së bërë gjatë muajve të fundit për sensibilizimin në mesin e profesionistëve mbi rreziqet e kontaminimit biologjik dhe për promovimin e praktikave dhe procedurave më të mira për parandalimin e kontaminimit të tërthortë të provave nga kontaminuesit biologjikë.