17 gusht 2023
Më 17 gusht, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) mbajti dy sesione trajnimi bazik për 47 kadete nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike për parandalimin e procesit të radikalizimit në mesin e kryerësve të veprave.
Pas përfundimit të programeve të tyre në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, këto kadete do t'i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës, ndërsa ky trajnim specifik, i cili është mbajtur nga Monitoruesit Korrektues të EULEX-it, Albert Gegaj dhe Petri Ravander, do t'u ndihmojë atyre që të ndërmarrin masa parandaluese për t’i identifikuar dhe raportuar me kohë shenjat e hershme të radikalizimit dhe ekstremizmit, si dhe për t’i identifikuar rreziqet e mundshme nëpërmjet një qasjeje dinamike të sigurisë.
Këto sesione trajnimi ishin pjesë e një angazhimi të gjatë të Misionit për t’i rritur kapacitetet e oficerëve korrektues dhe sprovues të Kosovës për t’i zbuluar me kohë shenjat e radikalizimit tek të burgosurit në vuajtje të dënimeve ose pas lirimit të tyre, falë një kuptimi më të thellë të mjediseve ekstremiste dhe të procesit të radikalizimit.
Dy trajnerët, Monitoruesit Korrektues të EULEX-it, Albert Gegaj dhe Petri Ravander, në prezantimet e tyre theksuan se si një trajtim me kohë dhe korrekt i individëve të cenueshëm ndaj radikalizimit ose personave të radikalizuar mund t'i parandalojë dhe t'i pengojë ata që të radikalizohen, duke shtuar se si, në këtë drejtim, një kuptim i duhur i fenomenit kompleks të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ndihmuar në zbulimin dhe shmangien e kërcënimeve të terrorizmit, si dhe përfundimisht për ta mbrojtur shoqërinë nga krimet e mundshme terroriste dhe ngjarjet e dëmshme.
Pjesëmarrëset konfirmuan se kjo ishte një mundësi e domosdoshme mësimi, pasi që mund t'u ndodh të përballen me këtë fenomen kaq kompleks gjatë punës së tyre në qendrat korrektuese. Në veçanti, Oficerja Korrektuese Kadete Rinesa Fazliu tha: “Trajnimi i mbajtur sot do të na ndihmojë të bëhemi më profesionistë në punën tonë dhe në identifikimin e rasteve të mundshme të radikalizimit në burgje. Gjithashtu do të na ndihmojë ta mbështesim më mirë procesin e risocializimit dhe riedukimit të kryerësve të veprave që e kanë kryer dënimin”.
Gjatë muajve të ardhshëm, Njësia Korrektuese e EULEX-it planifikon ta shtrijë këtë trajnim bazik në të gjitha institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) në kuadër të mbështetjes më të gjerë për drejtuesit e SHKK-së përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit.