Lajme

EULEX-i pret për vizitë një delegacion të nivelit të lartë të Forcave të Xhandarmerisë Evropiane

10 tetor 2023

Më 10 tetor, një delegacion i Forcave të Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFOR) u prit për vizitë nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Vizita filloi në Selinë e EULEX-it në Prishtinë, ku delegacioni, i kryesuar nga Komandanti i EUROGENDFOR, Kolonel Hans Vroegh, u mirëprit nga Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Barbano shprehu falënderimet e tij para Kolonel Vroegh për kontributin jetik të Forcave të Xhandarmerisë Evropiane në Njësinë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it (NJPSR), duke diskutuar edhe për mundësitë potenciale për bashkëpunim të ardhshëm si përgjigje ndaj nevojave të Misionit për burime në teren, çka avancon më tej mbështetjen e Misionit ndaj homologëve nga Kosova.

Gjatë ditës, Delegacioni vizitoi edhe Karabinierët italianë dhe zyrtarët lituanezë të sigurisë publike të cilët e përbëjnë Njësinë Policore të Specializuar Rezervë aktuale në kompleksin mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë.

Ata e përmbyllën ditën me vizitën në Qendrën e EULEX-it në Mitrovicë, ku delegacioni u informua lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovën veriore, mbi punën e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it, e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë të deleguar nga Polonia, dhe mbi kontributin e përgjithshëm të Misionit për stabilitetin në Kosovë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve.