09 shkurt
Më 8 dhe 9 shkurt 2024, Komandanti i Operacioneve Civile të BE-së dhe Drejtori Menaxhues i Kapacitetit për Planifikime dhe Veprime Civile (CPCC), Stefano Tomat, e vizitoi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), që është misioni civil më i madh i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së (CSDP).
Në ditën e parë, Tomat u prit nga Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano në selinë e Misionit në Prishtinë, ku u takua me stafin e lartë të EULEX-it dhe u njoftua për zhvillimet e fundit lidhur me zbatimin e mandatit të Misionit.
Pas takimit, Tomat iu bashkua Barbanos në inaugurimin zyrtar të Selisë së re të EULEX-it. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog, Ambasadori i Francës, Olivier Guérot, Ambasadori i Italisë, Antonello de Riu, Ambasadori i Japonisë, Ryuta Mizuuchi, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë dhe mysafirë të tjerë të shquar.
Më vonë gjatë paradites, Komandanti i Operacioneve Civile mori pjesë në ceremoninë për 24 karabinierë italianë, 20 oficerë lituanezë të sigurisë publike dhe pesë xhandarë të Xhandarmërisë Kombëtare Franceze që shërbejnë në Njësinë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it (NJPSR), të cilët morën medaljet e shërbimit të CSDP-së që u ndanë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.
Pas kësaj ceremonie, Tomat e vizitoi Mitrovicën Veriore dhe më pas shkoi në Qendrën e EULEX-it në Mitrovicë, ku u njoftua hollësisht lidhur me situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe vëzhgoi një paraqitje dhe stërvitje të Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it.