Lajme

EULEX-i i trajnon femrat oficere korrektuese për siguri dinamike dhe vetëmbrojtje

09 shkurt

Nga data 6 deri më 9 shkurt 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në bashkëpunim me Shërbimin Suedez të Burgjeve dhe Sprovues i ka trajnuar 50 femra oficere korrektuese nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) për siguri dinamike dhe vetëmbrojtje.

Trajnimi ishte i ndarë në dy pjesë: një punëtori dyditore mbi teorinë dhe praktikën për sigurinë dinamike, me fokus në metodat për parandalimin dhe adresimin e incidenteve të sigurisë, e cila u mbajt nga pjesëtarët e Njësisë Korrektuese të EULEX-it; një prezantim dyditor i teknikave të vetëmbrojtjes. Ky i fundit është realizuar në Qendrën Korrektuese në Lipjan me mbështetjen e dy instruktoreve eksperte nga Shërbimi Suedez i Burgjeve dhe Sprovues, Rebecca Linhard dhe Weronika Wallen.

Qëllimi i përgjithshëm i trajnimit katërditor ishte që të siguronte një mjedis më të sigurt për të gjithë oficerët korrektues dhe të burgosurit, duke e forcuar vetëbesimin dhe vigjilencën e pjesëtareve femra të personelit, duke prezantuar metoda për parandalimin dhe adresimin e incidenteve, si dhe teknikat e vetëmbrojtjes, duke minimizuar kështu rrezikun e lëndimeve.

Trajnimi u hap me fjalët hyrëse të Shefit të Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Anu Melkko, dhe Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Besar Gashi.

Mellko vuri në dukje rëndësinë e promovimit të prezencës së femrave në institucionet korrektuese duke i fuqizuar ato dhe duke e inkurajuar rekrutimin e stafit femëror, në atë që në thelb është ende një realitet i dominuar nga meshkujt, jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë botën.

Gashi shpjegoi se SHKK ka iniciuar rekrutimin e 47 oficereve femra, të cilat kanë filluar të punojnë në pesë qendra korrektuese në nëntor të vitit 2023, duke e theksuar domosdoshmërinë e rritjes së përfaqësimit të femrave në personelin e SHKK-së, veçanërisht në pozitat që kanë të bëjnë me sigurinë në institucionet korrektuese. Ai konfirmoi se SHKK-ja synon të arrijë një përfaqësim 50/50 të femrave në të gjitha nivelet e strukturave të SHKK-së, ndërsa tani vetëm 15 për qind e personelit të SHKK-së janë femra, përkundër faktit se SHKK funksionon që nga viti 1999 dhe aktualisht ka të punësuar rreth 1600 pjesëtarë të personelit.

Pjesëmarrësit treguan interesim të madh për të mësuar se si t’i identifikojnë simptomat ose treguesit e mundshëm midis të burgosurve për kryerjen e ndonjë akti të gabuar. Ndër të tjera, të trajnuarit shprehën vullnetin e tyre për të mësuar më shumë këshilla dhe shembuj të praktikave më të mira se si të ruhet një mjedis pozitiv dhe qasje e orientuara drejt zgjidhjeve për të burgosurit.

Trajnimi u organizua në kuadër të projektit në shkallë të vogël të EULEX-it “Trajnim për pjesëtaret femra të Shërbimit Korrektues të Kosovës për siguri dinamike dhe vetëmbrojtje”.