08 mars
Më 8 Mars 2024, për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në partneritet me OJQ-në Assist Kosovo, organizoi një aktivitet informuese për nxënësit, mësimdhënësit dhe profesorët nga Kolegji AAB, shkolla teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë dhe shkolla fillore “Shkolla Atë Shtjefen Gjeqovi” në Klinë.
Aktiviteti u përqendrua rreth diskutimit në panel me titull “Të festojmë dhe ta frymëzojmë përfshirjen”, i cili u fokusua në rëndësinë e promovimit të përfshirjes së grave dhe vajzave në të gjitha sferat profesionale dhe sociale të jetës, si një element thelbësor për arritjen e barazisë gjinore dhe ndërtimin e shoqërive të begata.
“Secili prej nesh ka një rol dhe përgjegjësi vendimtare në nxitjen e përfshirjes, sepse pa të ne nuk mund të pretendojmë se jetojmë në shoqëri plotësisht funksionale”, kujtoi Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, duke e hapur aktivitetin, dhe duke shtuar se si: “Sigurimi i qasjes së grave dhe vajzave në punë të denjë është jetik për mirëqenien njerëzore, ndërsa arsimi është gurthemeli”.
“Kjo është arsyeja pse angazhimi aktiv i të gjithë juve, vajza dhe djem, si liderë aktivë të shkollës dhe komunitetit, që ju shohim jo vetëm këtu sot, por edhe në aktivitetet e kaluara, ku patëm kënaqësinë të punojmë së bashku me ju, është e vetmja rrugë e vërtetë për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse në mënyrë efektive të lirë nga pabarazia gjinore dhe dhuna në baza gjinore”, tha Barbano duke iu drejtuar studentëve.
Gjatë diskutimit në panel, Zëvendës-shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, Gjyqtarja e Gjykatës Ekonomike të Kosovës, Vlora Pacolli Rexhepi, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani dhe Nënkolonelja e Policisë së Kosovës, Zylfije Dema, ndanë përvojat e tyre personale dhe profesionale në lidhje me pjesëmarrjen dhe fuqizimin e grave, duke theksuar se sa i rëndësishëm është respektimi dhe inkurajimi i diversitetit në punë, shtëpi dhe brenda komuniteteve, në mënyrë që të shtyhet përpara përfshirja në të gjitha nivelet dhe kështu të zbutet pabarazia gjinore.
Aktiviteti u pasurua edhe me shkëmbimin e pikëpamjeve për statusin e arsimit gjithëpërfshirës në sistemin arsimor të Kosovës në një panel të moderuar nga eksperti i arsimit nga Kolegji AAB, Xhavit Rexhaj me Drejtoreshën e Shkollës “At-Shtjefen Gjeqovi”, Besarta Nrecaj, Drejtoreshën e Shkollës “Nexhmedin Nixha”, Florentina Gjergjaj dhe Profesoreshën në kolegjin AAB, Mimoza Shahini.
Diskutimi u pasua nga një prezantim frymëzues i veprave artistike të nxënësve që portretizojnë mesazhe të fuqishme se si shihet roli i gruas dhe si duhet parë ai në shoqëritë tona, duke u fokusuar në ndikimin negativ të dhunës në baza gjinore dhe të stereotipeve gjinore në pengimin e pjesëmarrjes së grave në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM).
Përpara Ditës Ndërkombëtare të Gruas, EULEX-i gjithashtu iu bashkua një aktiviteti të organizuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) me temën “Investimi në Gratë: Përshpejtimi i Progresit”, që synon të tregojë se si investimi në gratë - dhe në të ardhmen e tyre - është rruga e vetme drejt barazisë dhe prosperitetit më të madh për të gjithë.
Në fjalimin e saj kryesor, Këshilltarja Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, theksoi se: “Gratë përfaqësojnë shumicën e atyre që jetojnë në varfëri, me qasje në më pak burime, dhe rrjedhimisht me më pak status, më pak pushtet dhe më pak ndikim në shoqëri. Kjo i privon ato nga e drejta e tyre themelore njerëzore për të jetuar me dinjitet dhe pa frikë dhe dhunë. Kjo është arsyeja pse investimi në avancimin e të drejtave të grave dhe qasjen e barabartë në mundësi është kaq shumë i rëndësishëm, duke filluar nga arsimi”.
Si pjesë e këtij aktiviteti, Misioni iu bashkua gjithashtu një aktiviteti për mbjelljen e pemëve me kampionët gjinorë, gjatë të cilit Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano mbolli një pemë të quajtur "Shpresa", si simbol i një të ardhmeje shpresëdhënëse për ta frymëzuar përfshirjen.