24 shkurt
Më 24 shkurt, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës – Dega në Mitrovicë, organizoi një punëtori për 32 avokatë, gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë për t’i adresuar ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale dhe sfidat e hasura gjatë vitit të parë të zbatimit të tyre. Punëtoria kryesisht u fokusua në gjykimet në mungesë, seancat e caktimit të dënimit, sekuestrimet dhe konfiskimet.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, falënderoi EULEX-in për organizimin e punëtorisë dhe rikujtoi përkushtimin e Odës së Avokatëve të Kosovës për vazhdimin e angazhimeve të saj për gjetjen e përgjigjeve më të mira ndaj çështjeve të shumta të ngritura gjatë diskutimeve të përbashkëta.
Pjesëmarrësit reflektuan mbi punën e bërë vitin e kaluar si dhe shkëmbyen pikëpamje mbi atë se si ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale patën ndikim pozitiv mbi sistemin e drejtësisë, dhe nëse ato kanë ndihmuar në fuqizimin e sundimit të ligjit, ngritjen e drejtësisë procedurale dhe avancimin e mëtejmë të drejtave të njeriut.
Këshilltarja e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës nga EULEX-i, Meda Petronela Grama, theksoi thelbin e zbatimit preciz dhe të unifikuar të dispozitave ligjore me qëllim të ngritjes së cilësisë së aktit juridik dhe besimit të qytetarëve në profesionet ligjore, duke siguruar transparencë dhe sistem ku nuk ka ndërhyrje.
“Mundësia që e patëm sot nuk e pasqyron vetëm përkushtimin tonë për avancimin e sundimit të ligjit, por gjithashtu thekson edhe rolin e mbrojtjes për të siguruar procedura të drejta”, tha Grama.