Lajme

Njësia Korrektuese e EULEX-it e përmbyll trajnimin për sigurinë dinamike dhe elementet thelbësore të saj për Shërbimin Korrektues të Kosovës

26 qershor

Më 26 qershor 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e përfundoi sesionin e fundit nga tre gjithsej të trajnimit për sigurinë dinamike dhe elementet thelbësore të saj për oficerët korrektues të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Siguria dinamike e thekson nevojën që oficerët korrektues të zhvillojnë shprehi pozitive për ndërtimin e raporteve me të burgosurit, trajtimin e drejtë dhe për ta rritur ndjenjën e mirëqenies midis të burgosurve. Ajo gjithashtu e lehtëson ndryshimin konstruktiv ndërsa të burgosurit janë të angazhuar në aktivitete kuptimplote që kontribuojnë në ri-integrimin e tyre të ardhshëm në shoqëri.

Trajnimi, i cili ishte pjesë e projektit në shkallë të vogël të Misionit "Rritja e nivelit të sigurisë dinamike në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK)", u realizua nga Njësia Korrektuese e EULEX-it me qëllimin përfundimtar për të kontribuar për një mjedis të sigurt dhe rehabilitues për të gjithë personat e burgosur. Projekti u krijua gjithashtu për ta ngritur nivelin e profesionalizmit të oficerëve korrektues të SHKK-së në sferat e sigurisë dinamike, vlerësimit të rrezikut dhe nevojave dhe trajtimit të burgosurve në përgjithësi.

Në përgjithësi, të tre sesionet, të cilat janë mbajtur midis shkurtit dhe qershorit, i kanë përfshirë 137 oficerë të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe janë trajtuar çështje të tilla si: rëndësia për të pasur raporte të mira dhe profesionale midis të burgosurve dhe stafit; mjedisi i sigurt dhe rehabilitues i burgjeve; qëllimi i Njësisë për Vlerësim dhe Klasifikim të burgosurve; roli i stafit korrektues në zbatimin e planeve të dënimeve të bazuara në vlerësimet individuale dhe praktikat më të mira për sigurinë dinamike.

Këshilltarja Korrektuese e EULEX-it, Heidi Susanna Kajander, shpjegoi se, kur përdoret në mënyrë aktive, siguria dinamike vepron si mekanizëm parandalues ​​i sigurisë dhe si mekanizëm rehabilitues përmes ndërveprimit dialogues midis stafit dhe të burgosurve. "Ky projekt ka kontribuar në mbështetjen e SHKK-së duke e përmirësuar të kuptuarit nga ana e zyrtarëve korrektues të elementëve kryesorë të sigurisë dinamike, me fokus të veçantë në atë se si ndikon siguria dinamike në nivelin e sigurisë së një institucioni korrektues, si dhe pse është siguria dinamike e rëndësishme kur synohet përmirësimi i nivelit të trajtimit dhe rehabilitimit të burgosurve", shpjegoi më tej Kajander.

Pas sesionit të parë të organizuar në shkurt 2024, pjesëmarrësit i kishin tre muaj për të analizuar dhe vëzhguar se si po përdoreshin elementet thelbësore të sigurisë në institucionet e tyre përkatëse, në mënyrë që më pas t’i hartonin planet e përshtatura të zhvillimit duke i adresuar pyetjet si: cilat janë elementet e sigurisë dinamike që përdoren në mënyrë aktive në burgjet përkatëse të pjesëmarrësve në trajnim; si ndikon përdorimi aktiv i elementeve dinamike të sigurisë në punën e përditshme në burgje; si mund të krijohet, forcohet ose rritet përdorimi i elementeve të sigurisë dinamike.

Planet e zhvillimit pritet të zbatohen në të ardhmen, duke nxitur kështu një mjedis të sigurt dhe rehabilitues nëpër burgje.