Lajme

EULEX-i e mbështeti edicionin e 10-të të iniciativës për mbledhje të fondeve “Me biçikletë nëpër Kosovë për fëmijë”

09 qershor

Nga data 6 deri më 9 qershor 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka mbështetur organizimin e edicionit të 10-të të iniciativës për mbledhje të fondeve “Me biçikletë nëpër Kosovë për fëmijë 2024”. Ky aktivitet çiklizmi është krijuar nga ish-stafi i EULEX-it në vitin 2014 në koordinim të ngushtë me OJQ-në vendase “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” (Action for Mothers & Children - AMC) me qëllim të mbledhjes së fondeve për fëmijë në Kosovë.

Rreth 50 entuziastë të çiklizmit të nacionaliteteve të ndryshme, tetë prej tyre pjesëtarë të Misionit EULEX, iu bashkuan edicionit të sivjetshëm, i cili kishte për qëllim mbledhjen e donacioneve për pajisje mjekësore thelbësore për Repartin e Pediatrisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog.

Angazhimi i çiklistëve, të cilët përshkuan një rrugëtim prej më shumë se 530 km nëpër Kosovë me ngjitje prej 7,000 metrave, dha rezultat: falë mbështetjes së donatorëve individualë dhe sponsorëve privatë, ' Me biçikletë nëpër Kosovë për fëmijë 2024' mblodhi gjithsej 19,000 euro.

Çiklistët u nisën nga selia e EULEX-it në Prishtinë, prej ku u përcollën ngrohtësisht nga Shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano, duke e konfirmuar gatishmërinë e Misionit për të marrë pjesë aktive në këtë iniciativë. Përveç pjesëtarëve të Misionit EULEX që morën pjesë si çiklistë, Misioni gjithashtu kontribuoi me pjesëmarrjen e shtatë pjesëtarëve të Misionit EULEX si pjesë e ekipit mbështetës, tre furgona mbështetës të EULEX-it dhe një ekip mjekësor i EULEX-it, i përbërë nga një ambulancë dhe një pjesëtarë i stafit.

Faleminderit të gjithëve për një pjesëmarrje kaq të përzemërt!