07 gusht
Më 17 korrik dhe 7 gusht 2024, Analistja për Kapacitete Analitike të Misionit (KAM) e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Sara Barbieri, mbajti ligjërata mbi rolin e Misionit EULEX në Kosovë si ligjëruese e ftuar në “Akademinë Verore Ndërkombëtare të Kosovës” për rreth 120 studentë gjithsej me origjinë nga e gjithë bota.
Studentët patën mundësinë të përfitojnë një pasqyrë të drejtpërdrejtë lidhur me mandatin unik të Misionit, duke diskutuar me Barbierin se si ka evoluar ai gjatë viteve, si dhe duke mësuar më shumë për rolin, kontributin, arritjet dhe sfidat e EULEX-it.
Në veçanti, diskutimi u fokusua në marrëdhëniet ndërmjet Misionit dhe homologëve të tij nga disa prej institucioneve të përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, për të cilat EULEX-i e ka mandatin që t'i mbështesë në rrugëtimin e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.
Studentët, të cilët ishin në Kosovë për programet 10-ditore të organizuara nga Qendra Kosovare për Diplomaci lidhur me temën “Ndërtimi i paqes në zonat pas konfliktit – diplomacia, lidershipi dhe negociatat”, u përfshinë në diskutime të gjalla dhe kuptimplote duke bërë pyetje gjatë gjithë kohës me entuziazëm dhe kuriozitet.