Lajme

EULEX-i, në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë, forcon kapacitetet e Policisë së Kosovës për të reaguar ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet

23 tetor

Nga data 22 deri më 23 tetor 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Aksionin CYBERKOP të Këshillit të Evropës dhe Drejtorinë e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, përmbyllën me sukses një trajnim dy-ditor që synonte rritjen e aftësive të reaguesve të parë në trajtimin e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve në internet (SHASFI).

Trajnimi u ofroi 21 zyrtarëve të policisë instrumente dhe njohuri thelbësore për hetimin e rasteve të SHASFI, mbledhjen e provave elektronike dhe trajtimin e raporteve nga Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (QKFZHSH).

Sesionet mësimore u fokusuan gjithashtu në ndikimin psikologjik që krimet seksuale kanë te viktimat, duke u ofruar këtyre zyrtarëve aftësitë e nevojshme për mbajtjen e intervistave të ndjeshme dhe të përqendruara te viktima dhe për dallimin e shenjave të traumës. Përveç kësaj, pjesëmarrësit morën edhe udhëzime për menaxhimin e traumës sekondare, të cilën shpesh e përjetojnë zyrtarët të cilët merren me raste të tilla.

Trajnimi ishte pjesë e kornizës së Platformës evropiane multidisiplinare kundër kërcënimeve kriminale (EMPACT), që synon t’i fuqizojë aftësitë e Kosovës për luftimin e kërcënimit në rritje të shfrytëzimit seksual të fëmijëve në epokën digjitale dhe e pasqyron përkushtimin e EULEX-it për t’i forcuar kapacitetet e Kosovës për zbatimin e ligjit në trajtimin e krimit kibernetik dhe mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm nga grabitqarët në internet.