19 nëntor
Më 11 nëntor 2024, gjatë një konference të nivelit të lartë në Prishtinë ku morën pjesë mbi 100 mysafirë dhe pjesëmarrës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e prezantoi Raportin e tij të katërt publik të Monitorimit të Drejtësisë.
Përderisa raportet e mëparshme të Monitorimit të Drejtësisë nga viti 2020-2022 e kanë bërë vlerësimin e sistemit të drejtësisë penale dhe civile të Kosovës, duke ofruar rekomandime konkrete për t’i ndihmuar institucionet e sundimit të ligjit në arritjen e përmbushjes më të mirë me ligjet e Kosovës dhe standardet e të drejtave të njeriut – duke e respektuar plotësisht pavarësinë e tyre, ky raport e vlerëson zbatimin e rekomandimeve të mëparshme, duke i theksuar fushat ku është bërë progres dhe duke tërhequr vëmendjen ndaj boshllëqeve kritike të vazhdueshme.
Në hapje të konferencës, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, kujtoi se qëllimi final i raportit është që të ofrojë një udhërrëfyes - një thirrje për veprim për ta forcuar sistemin e drejtësisë, duke e theksuar nevojën për një përkushtim të përbashkët më të thellë për të parë përparimin e sektorit të drejtësisë në Kosovë drejt standardeve evropiane që janë jetike për një shoqëri të qëndrueshme dhe demokratike.
“Kosova e ka potencialin dhe mundësinë për t'u bërë anëtare e familjes evropiane, por ky rrugëtim kërkon më shumë se vetëm përmbushje. Ai kërkon që institucionet dhe qytetarët e Kosovës të mishërojnë vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Duke e bërë këtë, Kosova mund të formësojë një të ardhme që është e sigurt, e drejtë dhe e përafruar me idealet dhe vlerat evropiane”, tha Barbano, duke shtuar se: “Rruga drejt anëtarësimit në BE kërkon më shumë se vetëm reforma institucionale; kërkon një përkushtim të palëkundur ndaj sundimit të ligjit nga udhëheqësit në të gjitha nivelet dhe mbështetje nga secili komunitet”.
Shefi i Shtyllës së EULEX-it për Monitorim, Giovanni Galzignato, shpjegoi metodologjinë e raportit, duke theksuar se gjetjet bazohen në monitorimin rigoroz të mbi 300 rasteve, si dhe në të dhënat dhe njohuritë e mbledhura përmes bashkëpunimit të gjerë me institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe shoqërinë civile.
“Ashtu si pararendësit e tij, Raporti i Monitorimit të Drejtësisë 2024 fokusohet në të gjithë zinxhirin e drejtësisë penale dhe civile dhe mbulon si temat sistemike ashtu edhe tematike”, sqaroi Galzignato, duke theksuar se temat sistemike, ndër shumë të tjera, përfshijnë përdorimin e paraburgimit, ekzekutimin e sanksioneve penale dhe dënimeve plotësuese, caktimin dhe produktivitetin e seancave gjyqësore dhe politikën e rigjykimit. Ndërsa temat tematike përfshijnë trajtimin e llojeve të veçanta të veprave penale, si korrupsioni, dhuna në baza gjinore dhe krimet sipas së drejtës ndërkombëtare, si dhe vlerësimin e zbatimit në fusha të tjera, siç është trajtimi i rasteve civile që lidhen me kontestet pronësore, aplikimi i masave të diversitetit ndaj të miturve në rastet penale dhe funksionimi i Sistemit Informativ të Menaxhimit të Lëndëve.
Një pasqyrë e shpejtë e gjetjeve kryesore u prezantua nga Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, i cili fillimisht theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme dhe bashkëpunimit me institucionet e sundimit të ligjit për të siguruar që EULEX-i të jetë në gjendje ta zbatojë mandatin e tij për monitorim të fuqishëm, duke i mundësuar monitoruesve të Misionit për policinë, drejtësinë dhe atyre tematikë që të kenë qasje në informacione dhe dokumente.
Ndër shumë gjetje kryesore të raportit, van Eck Koster, theksoi se:
- Është vërejtur progres në aspektin e strukturës institucionale dhe kapaciteteve të Policisë së
Kosovës dhe PSRK-së për t'u marrë me krimet e luftës.
- Është arritur progres gjithashtu në adresimin e dhunës në baza gjinore dhe në zbatimin e
kritereve në përputhje me Konventën e Stambollit, duke përfshirë përdorimin e bazës së të
dhënave ndërmjet agjencive për dhunën në familje.
- Në aspekt pozitiv, si KGJK-ja ashtu edhe Departamenti i Special ngritën vetëdijesimin për
rëndësinë e menaxhimit të rasteve dhe planifikimit të seancave.
- Shumica e gjykatave tani kanë instaluar pajisje audio dhe video për të siguruar regjistrimin e
procedurave gjyqësore.
Nga ana tjetër, raporti vlerëson se:
- Shumë raste të profilit të lartë nuk treguan ndonjë progres domethënës edhe pse disa gjykime
janë në proces prej vitesh.
- Ende shumë seanca dëgjimore zhvillohen pa ndonjë progres të konsiderueshëm, duke shkaktuar
vonesa të panevojshme në procedura.
- Ka ende një përdorim të tepruar të paraburgimit, përkatësisht ai vazhdon të aplikohet
sistematikisht pa argumente të duhura dhe shpesh vazhdohet automatikisht, si dhe ka një rritje
të konsiderueshme të numrit të personave të paraburgosur në gjykime që zgjasin për një
periudhë kohore të gjatë, nëse jo edhe shumë të gjatë.
- Megjithëse është shënuar një nivel i caktuar përmirësimi, lufta kundër korrupsionit duhet të
ketë prioritet, si dhe të gjitha instrumentet ligjore në dispozicion duhet të përdoren plotësisht.
Konferenca vazhdoi me diskutime dhe komente për gjetjet e raportit nga ana e përfaqësuesve të gjithë zinxhirit të drejtësisë, përkatësisht Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj dhe Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj.
Gazmend Hoxha shprehu falënderimin dhe vlerësimin e tij për EULEX-in dhe angazhimin e tij, duke nënvizuar rëndësinë e raporteve të monitorimit të EULEX-it për Policinë e Kosovës për sa i përket metodologjisë së punës së përdorur për ta vlerësuar të gjithë zinxhirin e drejtësisë penale. “Për ne, Policinë e Kosovës është shumë me rëndësi rezultati final i zgjidhjes së lëndëve, sepse kështu ne e vlerësojmë edhe punën tonë”.
Hoxha po ashtu rikonfirmoi përkushtimin e Policisë së Kosovës për marrjen në konsideratë dhe adresimin e duhur të gjetjeve dhe rekomandimeve të EULEX-it, duke theksuar më tej bashkëpunimin e fortë të vazhdueshëm të policisë me EULEX-in, i cili pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Gjatë punës hulumtuese nga zyrtarët e EULEX-it, Njësitet dhe Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë në vazhdimësi kontribues dhe bashkëpunues, dhe do të vazhdojnë të jenë kështu edhe në të ardhmen”, theksoi ai.
Duke kaluar tutje përgjatë zinxhirit të drejtësisë, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, kujtoi se KPK vazhdon të punojë shumë për t’i forcuar kapacitetet institucionale dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të drejtësisë për të krijuar një qasje më të koordinuar dhe efektive në luftën kundër krimit.
“Trajtimi i rasteve të profilit të lartë kërkon një sistem të drejtësisë të fortë, të pavarur dhe të sigurt që mund të qëndrojë kundër presioneve dhe ndikimeve të jashtme”, theksoi Hajdaraj, duke shtuar se: “Këshilli Prokurorial i Kosovës shpreh gatishmërinë për t’i ofruar ndihmë Prokurorit të Shtetit dhe organeve te tjera të drejtësisë, ashtu që hetimi dhe ndjekja e këtyre veprave penale të jetë efektive dhe në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi”.
Hajdaraj e mbylli fjalën e tij duke i renditur një sërë angazhimesh praktike që do të ndërmerren nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në lidhje me gjetjet e raportit me qëllim të forcimit të llogaridhënies së prokurorëve.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, e përshëndeti raportin si një mjet për institucionet e Kosovës që të reflektojnë seriozisht për nevojën e adresimit të çështjeve të ngritura në të gjithë zinxhirin e drejtësisë penale, duke e ritheksuar përkushtimin e KGJK-së për të bashkëpunuar ngushtë me Misionin: “Ne kemi qenë krejtësisht të hapur me Misionin e EULEX -it për t’i krijuar hapësirën e nevojshme për monitorim, sigurisht do të vazhdojmë me nivelin e njëjtë, duke e rritur bashkëpunimin por njëkohësisht do të ftojmë Misionin që me e përcjellë çdo rekomandim që është dhënë për mënyrën se si do te zbatohet nga KGJK dhe Gjykatat”.
Zogaj gjithashtu tërhoqi vëmendjen në faktin se efikasiteti dhe produktiviteti janë thellësisht të ndërlidhura me disponueshmërinë e burimeve, duke theksuar se si buxheti lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me cilësinë e performancës së përgjithshme, por edhe me nivelin e besimit ndaj institucionit të tij, që është i lidhur me kapacitetin që ka KGJK-ja në përmbushjen e kërkesave kushtetuese dhe ligjore.
Pas sesionit me pyetje-përgjigje, Zëvendës-Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, mbajti fjalën e saj përmbyllëse, duke i falënderuar diskutuesit për angazhimin e tyre të përbashkët dhe të fortë ndaj parimeve për gjykim të drejtë në të gjithë sektorin e sundimit të ligjit dhe për vlerësimin e tyre pozitiv të monitorimit të pavarur dhe të fuqishëm të EULEX-it.
“Jam shumë e kënaqur që sot dëgjoj dëshirën e të gjithëve për t’i adresuar shkaqet themelore për disa nga sfidat kryesore në zbatimin e kornizës ligjore të Kosovës, për të siguruar që sistemi i drejtësisë të mund të funksionojë në mënyrë efektive dhe të sigurt”, tha Rakhorst.
Raportin e plotë mund ta gjeni në: (11.11.2024)Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit - Raporti i Monitorimit në Drejtësi 2024.pdf
Videon e konferencës mund ta gjeni në: