25 nëntor
Më 25 nëntor 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO (KFOR) dhe Policia e Kosovës zhvilluan stërvitjen e përbashkët për kontrollimin e turmave dhe menaxhimin e krizave “Golden Sabre 2024 (Shpata e artë)”.
Stërvitja u zhvillua në Kampin Vrella në prani të Shefit të Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, Komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe kishte për qëllim avancimin e nivelit të gatishmërisë dhe koordinimit ndërmjet tre reaguesve të sigurisë në Kosovë.
Në përputhje me mekanizmin me tre nivele të reaguesve të sigurisë në Kosovë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti ndërsa KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, stërvitja e përbashkët u organizua për t’i forcuar kapacitetet dhe për zbatimin e procedurave të përbashkëta për kontrollimin e turmave dhe trazirave, për ta mbështetur më mirë stabilitetin e Kosovës dhe për të kontribuar më mirë në sigurinë e të gjitha komuniteteve.