Lajme

80 zyrtarëve policorë polakë nga rotacioni i XXXVI-të i NJPS të EULEX-it iu ndanë medalje të PPSM për shërbim

28 nëntor

Më 28 nëntor 2024, në prag të rotacionit të XXXVI-të të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), 80 zyrtarë policorë polakë në shërbim për herë të parë në kuadër të NJPS të EULEX-it u dekoruan me medaljen e Politikës së Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (PPSM) për shërbim, e ndarë nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së.

Nikoqir i ceremonisë ishte Shefi i Misionit EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ceremoni e cila u mbajt në Qendrën e EULEX-it në Mitrovicë, me pjesëmarrjen e Ministrit të punëve të brendshme të Kosovës,  Xhelal Sveçla, Zëvendësministrit të punëve të brendshme dhe administratës të Polonisë, Wiesław Szczepański, Zëvendëskomandantit të parë të Policisë së Polonisë, Gjeneral Brigade Roman Kuster, si dhe mysafirëve të tjerë të dalluar.

Në ceremoni mori pjesë edhe një delegacion i lartë nga Polonia, i përbërë nga Kryesuesja e Komitetit parlamentar për administratë dhe punë të brendshme, anëtarja e Parlamentit të Polonisë Maria Janyska, Kryesuesi i Komitetit parlamentar për shërbime të veçanta, anëtari i Parlamentit të Polonisë Kazimierz Plocke, Zëvendëskryesuesi i Komitetit parlamentar për administratë dhe punë të brendshme, anëtari i Parlamentit të Polonisë Zbigniew Sosnowski, Kryesuesi i grupit parlamentar polako-ballkanik të Parlamentit të Polonisë, Tomasz Głogowski, dhe anëtari i Komitetit parlamentar të shërbimeve të veçanta Marek Biernacki, dhe Konzulja e Republikës së Polonisë për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, Justyna Bracka – së bashku me Zëvendëskomandantin e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Brigade Cahit Irican.

Në fillim të ceremonisë u mbajt një minutë heshtje në nderë të Rreshterit të Policisë së Polonisë Mateusz Biernacki i cili humbi jetën në krye të detyrës më 23 nëntor në Poloni.

Duke iu drejtuar zyrtarëve që u dekoruan me medalje, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, rikujtoi se medalja e PPSM-së për shërbim është testament i qëndrueshmërisë dhe përkushtimit të tyre të palëkundur, theksim i rëndësisë së rolit të tyre si kontribues aktiv për paqe, stabilitet dhe llogaridhënie në Kosovë.

“Prania juaj e dukshme në teren ka sjellë siguri dhe shpresë për popullin e Kosovës. Të gjithë ju duhet të ndiheni tejet krenarë për rolin tuaj jetik për fuqizimin e stabilitetit dhe krijimin e besimit te komunitetet e Kosovës,” theksoi Barbano, duke shtuar: “Përkushtimi juaj është shëmbëlltyrë e vlerave thelbësore të Bashkimit Evropian: drejtësisë, barazisë dhe unitetit.”

Ministri i punëve të brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, falënderoi zyrtarët policorë të NJPS-së për mbështetjen e tyre pa dallim dhe me përkushtim për sundimin e ligjit, sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Kosovë, dhe rikujtoi zotimin e Kosovës drejt vlerave demokratike, duke theksuar se: “Rruga dhe synimi ynë është drejt integrimit evropian,” duke konfirmuar punën e vazhdueshme të Kosovës në atë drejtim.

Duke theksuar mirënjohjen më të lartë që gëzojnë burrat dhe gratë që zgjedhin të vishen në uniformë për avancimin e sigurisë nga populli që u shërbejnë, ai e përmbylli fjalimin me fjalët: “Kudo që do të jetë e ardhmja juaj, ne do ju kemi përherë në mendje, andaj edhe ju Kosovën mbajeni në mendjen e zemrën tuaj.”

Ceremonia vazhdoi me fjalime nga Zëvendësministri i punëve të brendshme dhe administratës së Polonisë, Wiesław Szczepański, i cili theksoi rëndësinë e kontributit të Polonisë në EULEX, dhe shprehu mirënjohjen e tij për rolin jetik të zyrtarëve policorë polakë të NJPS së EULEX-it me mbështetjen aktive dhënë homologëve të tyre vendas si kontribut për ruajtjen e stabilitetit dhe rendit publik.

“Ju keni marrë përsipër një detyrë sfiduese që jo secili do të kishte zgjedhur. Në fillim të rrugëtimit, ju keni kaluar nëpër një proces rekrutimi rigoroz për kontingjentin policor, gjatë të cilit jeni testuar për përballim dhe qëndresë. Kjo kishte vijuar me stërvitje intensive, që ju ka quar në këtë shërbim fisnik përtej kufijve tanë shtetëror,” tha Szczepański, duke i lavdëruar të dekoruarit me medalje për këmbënguljen e tyre dhe për ngritjen e standardit shembullor me veprimet e tyre.

Zëvendëskomandanti i parë i Policisë së Polonisë, Gjeneral Brigade Roman Kuster, rikujtoi se si mbështetja 25-vjeçare e Policës së Polonisë është: “Shenjë e fortë se ne jemi duke mbrojtur sigurinë jo vetëm në Poloni por edhe në Kosovë.”

Duke pohuar ndikimin pozitiv të NJPS-së në ndjenjën e sigurisë në mesin e qytetarëve të Kosovës, Kuster e përfundoi fjalimin me një falënderim për zyrtarët policorë për shërbimin e tyre.

Komandanti i NJPS-së, Major Krzysztof Kosiński, e përmbylli ceremoninë me një lavdërim për zyrtarët policorë për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, duke pranuar vështirësinë e shërbimit jashtë vendit, larg familjeve dhe më të dashurve.