Lajme

Studentët e Universitetit të Westminster vizituan selinë e EULEX-it

15 prill

Më 15 prill, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë mirëpriti një grup prej 16 vizitorësh, përfshirë studentë dhe profesorë, nga Programi Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri i Universitetit të Westminster-it.

Kjo vizitë u ofroi studentëve një mundësi të vlefshme për t’i zgjeruar njohuritë e tyre mbi misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të Bashkimit Evropian në mbarë botën dhe për të fituar një pasqyrë të drejtpërdrejtë mbi mandatin dhe punën e EULEX-it.

Analistja e Kapaciteteve Analitike të Misionit EULEX, Sara Barbieri, paraqiti një përmbledhje të mandatit të Misionit, duke i theksuar si sfidat ashtu edhe sukseset e tij. Diskutimet u përqendruan në mënyrën se si kontribuon puna e EULEX-it në forcimin e sundimit të ligjit përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e Kosovës, në mbështetje të stabilitetit afatgjatë.

Pjesëmarrësit shfaqën interes të veçantë për mundësitë e zhvillimit profesional, përfshirë praktikat profesionale brenda Misionit, të cilat ofrojnë përvojë të drejtpërdrejtë në një ambient kompleks ndërkombëtar.