21 shtator 2015
Sektori i Fuqizimit i EULEX-it është zotuar ti lehtësojë dy punëtori për vlerësimin e të burgosurve si pjesë e agjendës së tij për mbështetjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Vlerësimi i të burgosurve është mjet i cili ofron informata thelbësore lidhur me të burgosurit, e lehtëson rehabilitimin më efektiv dhe i zvogëlon rreziqet. Përmes vlerësimit efektiv të të burgosurve, stafi korrektues mund ta vlerësojë në mënyrë gjithëpërfshirëse statusin dhe të kaluarën e një të burgosuri dhe për rrjedhojë ti planifikojë si duhet dënimet e tyre.
Punëtoria e parë u mbajt prej 16 18 shtator, ndërsa e dyta do të mbahet prej 21-24 shtator në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri. Në punëtori marrin pjesë zyrtarët korrektues, punëtorët socialë, menaxherët e pavijoneve dhe stafi i sigurisë. Trajnimi e vazhdon punën e EULEX-it në fuqizimin e institucioneve të Kosovës duke e mbështetur SHKK-në lidhur me drejtimin e burgjeve dhe të qendrave të paraburgimit në pajtim me standardet evropiane.
Punëtoritë udhëhiqen nga një ekspert i jashtëm për burgjet dhe shërbimet sprovuese. Ato përqendrohen në dhënien e mësimit lidhur me të intervistuarit motivues, një metodë praktike për ti mbledhur informatat nga të burgosurit dhe për ti motivuar ata të bëhen pjesëtarë të ndershëm të shoqërisë kur të lirohen. Të intervistuarit motivues përqendrohet në krijimin e marrëdhënieve konstruktive me të burgosurit, element kryesor për mbledhjen e informatave.
Vlerësimi i saktë është vendimtar për zvogëlimin e mundësisë që një i burgosur të kryejë krime të mëtejme pasi që të jetë liruar. Meqë secilit të burgosur i nevojitet vëmendje e ndryshme, vlerësimi i saktë ua jep zyrtarëve korrektues mjetet për tu përqendruar në të burgosurit me rrezikshmëri të lartë të cilët janë më të prirë për përsëritjen e veprave dhe prandaj kanë nevojë për mbikëqyrje më të afërt. Vlerësimi po ashtu ofron informata vendimtare lidhur me rrezikun që të burgosurit individualë paraqesin për veten dhe të burgosurit e tjerë. Për rrjedhojë, vlerësimi efektiv ofron mjete për përmirësimin e sigurisë të stafit të SHKK-së dhe të burgosurve të tjerë.