12 janar 2015
Mija banorë të Gjermanisë, Zvicrës dhe shteteve tjera të Evropës perëndimore vijnë në Kosovë çdo verë për ti vizituar familjet dhe miqtë e tyre. Gjatë kësaj stine, Aeroporti i Prishtinës është plot gjallëri nga vizitorët të cilët hyjnë në Kosovë pa ndonjë pengesë të theksuar. Kjo gjendje dallon shumë nga ata që zgjedhin të vijnë me veturë. Në verën e vitit 2009, koha e pritjes në pikë-kalimin kufitar në Merdarë shkonte edhe deri në 24 orë. Kjo nënkuptonte qëndrimin me orë të tëra nën diellin përvëlues dhe netët e freskëta verore të Kosovës, e nganjëherë edhe me orë të tëra pa ushqim ose ujë. Shoferët e kamionëve janë mësuar me këto rrethana, mirëpo jo edhe familjet të cilat udhëtojnë me fëmijët e tyre. Një situatë e tillë ishte një sfidë shumë e madhe duke e pasur parasysh udhëtimin duke kaluar me qindra kilometra.
Ne i shihnim ditë e natë radhët e gjata të veturave, kujtojnë pjesëtarët e EULEX-it, të cilët ishin në detyrë në pikë-kalimet kufitare, para krijimit të pikë-kalimeve kufitare të integruara mund të ndodhnin edhe plaçkitje në hapësirën neutrale ndërmjet pikave të kontrollit. Njerëzit me orë të tëra ishin vetëm dhe aty nuk kishte prezencë të ndonjë personi zyrtar.
EULEX-i ka qenë i pranishëm në pikë-kalimet kufitare që nga fillimi, duke e mbështetur Policinë Kufitare të Kosovës (PKK) dhe Doganën e Kosovës (DK), në kuadër të mandatit të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillim (MMK). Pjesë e këtij asistimi ishte puna me autoritetet e Kosovës për ti identifikuar mënyrat e përmirësimit të qarkullimit të trafikut në pikë-kalimet kufitare. Për shembull, këshilltarët e EULEX-it kanë dhënë këshillat e tyre për ri-projektimin e pikë-kalimeve, në mënyrë që automjetet të mund të kontrolloheshin në mënyrë më të shpejtë dhe më efikase nga PKK dhe DK.
Rruga drejt normalizimit
Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit (MIK) , këto përpjekje kanë shënuar një përparim të dukshëm. Si pjesë e Dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, në vitin 2012, të dyja palët miratuan krijimin e gjashtë pikë-kalimeve zyrtare të përbashkëta, që do të thotë se të dyja palët e kanë një infrastrukturë të përbashkët në po të njëjtin lokacion gjeografik.
Në dhjetor 2012 janë funksionalizuar katër pikë-kalimet e para të MIK. Dy prej tyre ishin në pjesën veriore të Kosovës, mirëpo moti ishte shumë i ashpër dhe qasja për sjelljen e pajisjeve të nevojshme për ndërtimin e pikë-kalimeve kufitare ishte jashtëzakonisht e vështirë. Për të siguruar që marrëveshja për MIK do të respektohet, EULEX-i ndihmoi dhe e ndërtoi një pikë-kalim gjatë një stuhie me dëborë.
Përkundër këtyre kushteve jo të favorshme, të gjitha pikë-kalimet ishin hapur me kohë, dy të fundit janë hapur në fund të muajit shkurt 2013. EULEX-i nuk do të lejonte që marrëveshja për MIK të dështojë për shkak të dëborës!
Rezultatet janë befasuese. Me afrim dhe bashkëpunim ditor, procedurat u përmirësuan dhe qarkullimi dhe kontrollimi i trafikut përmes pikë-kalimeve kufitare u bë shumë më i shpejtë. Çdo ditë, EULEX-i ka lehtësuar bisedimet në mes të zyrtarëve të dyja palëve në mënyrë që të pajtoheshin për zbatimin e masave specifike për kontrollimin e lehtësuar të trafikut dhe shkurtimin e kohës së pritjes gjatë periudhave me ngarkesa. Ky bashkëpunim në masë të madhe i ka shkurtuar radhët gjatë periudhës së verës.
Marrëveshja për MIK, po ashtu e rregullon edhe një fushë tjetër të rëndësishme doganën, e cila është ende burimi kryesor i të hyrave për Kosovën. Që nga muaji dhjetor 2013, të hyrat doganore mblidhen edhe në pikë-kalimet e pjesës veriore. Më shumë se katër milionë euro janë mbledhur nga mallrat që për destinacion e kishin pjesën veriore të Kosovës. Këto të hyra shkojnë drejt në fondin për mbështetjen e zhvillimit të pjesës veriore të Kosovës. Të dyja, hapja e pikë-kalimeve kufitare dhe fillimi i mbledhjes së të hyrave janë rezultate të drejtpërdrejta të përpjekjeve të kombinuara të EULEX-it dhe palëve të Dialogut për implementimin e marrëveshjes nga Dialogu.
Përfundimisht, marrëveshja për MIK krijoi linja të reja komunikimi në mes të dy palëve, duke e çuar përpara shkëmbimin e informacioneve, duke përfshirë edhe të dhënat elektronike në fushën e doganës. Puna e përbashkët e EULEX-it dhe e Doganës së Kosovës për ta bërë një vlerësim më cilësor të rrezikut dhe përqendrimit, ka kontribuar thellësisht në zvogëlimin e kontrabandës dhe të evazionit fiskal nga të dyja palët.
Drejtimet e reja
Tani në pikë-kalimin kufitar në Merdarë, të dyja palët po përgatiten për një trafik të ngarkuar që pritet gjatë Vitit të Ri. Këtë vit, EULEX-i nuk do të jetë vazhdimisht i pranishëm. Me ri-konfigurimin e fundit të Misionit dhe duke e marrë parasysh zbatimin e standardeve nga PKK dhe DG, dhe po ashtu progresin e arritur në zbatimin e marrëveshjes për MIK, prezenca e EULEX-it është zvogëluar në vizita të rregullta në të gjitha pikë-kalimet kufitare në mes të Merdarës dhe Muçibabës. Mirëpo, stafi i EULEX-it do të vazhdojë me lehtësimin e bashkëpunimit në mes të dyja palëve dhe është i sigurt se punët do të rrjedhin pa probleme: Të dyja palët janë duke biseduar me njëra tjetrën, duke shkëmbyer informacione dhe duke siguruar e mbështetjen e duhur që trafiku të lëvizë sa më shpejt që është e mundur. Kjo është në interesin e çdokujt.