Lajme

Trajnim i përbashkët mbi kontrollimin e turmave dhe trazirave për Policinë e Kosovës

21 mars 2016

Të enjten e kaluar, 18 mars, EULEX-i e organizoi një trajnim mbi kontrollimin e turmave dhe trazirave (KTT) për Njësitë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës (PK). Ky trajnim ishte hera e dytë e bashkëpunimit ndërmjet Komandave regjionale veri dhe jug të PK-së, ndërsa trajnimi i parë ishte mbajtur më herët gjatë këtij viti në mjediset e bazës logjistike të EULEX-it.  

Ky organizim ishte një mundësi për njësitë e Komandave regjionale që t’i formojnë njësitë dhe të stërviten për turbullirat e paparalajmëruara siç janë trazirat ose protestat e mëdha. Për të përfituar këtë lloj të përvojave, u inskenuan trazirat, fillimisht nga Njësia e Specializuar polake në kuadër të EULEX-it (NjS) e pastaj nga vetë Njësitë e Reagimit të Shpejtë të PK-së. Thomas Guetlen nga Departamenti i Policisë Speciale të EULEX-it e ka ndihmuar këtë organizim i cili ishte përgatitur nga Njësia Polake e Policisë (FPU) dhe u monitorua nga Këshilltari i EULEX-it në këtë stacion për Fuqizimin e Policisë, Ferenc Szel.   

“Ne dëshirojmë që Njësisë për Reagim të Shpejtë të PK-së t’ia ofrojmë mundësinë për ta provuar nga dora e parë se si është të ballafaqohesh me situatat e kontrollit të protestave dhe, ç’është më e rëndësishmja, se si të vihen ato nën kontroll duke punuar bashkë mes vete, veriu dhe jugu,” sqaroi Guetlen. 

Vendimi për ta mbajtur trajnimin në një nga poligonet e qitjes në kodrat e Kosovës ishte ideal pasi që hapësira e madhe e hapur mundësonte që simulimi i protestës së dalë nga kontrolli të jetë pothuaj real. Njësitë e Reagimit të Shpejtë në Togje të përziera patën mundësi që të provojnë skenarë të ndryshëm se si mund të eskalojë protesta. 

Ky trajnim ishte pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të EULEX-it për t’i rritur kapacitetet e PK-së për KTT dhe për fuqizimin e bashkëpunimit veri-jug përmes ofrimit të ndihmës me anë të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit. Po ashtu, ky trajnim e thekson përkushtimin e EULEX-it për ta bërë sigurinë prioritet numër një në kuadër të përkrahjes së tij për institucionet e Kosovës.