Lajme

Punëtori trajnimi e EULEX-it lidhur me ndjekjen penale të rasteve të dhunës seksuale që kanë të bëjnë me konfliktin

19 maj 2016

Në një punëtori trajnimi dy-ditore që u organizua nga misioni EULEX morën pjesë përafërsisht 25 praktikues vendas të sundimit të ligjit, përfshirë hetues policorë, prokurorë dhe gjyqtarë. Objektivi i përgjithshëm i këtij trajnimi ishte avancimi i kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për zbatimin e ligjit për t’i hetuar, për t’i ndjekur penalisht dhe për t’i gjykuar në mënyrë të suksesshme rastet e dhunës seksuale të lidhura me konfliktin. Trajnimin e udhëhoqi ligjëruesja kryesore dhe ekspertja e jashtme Max Marcus. Znj. Marcus është një prokurore ndërkombëtare penale me përvojë përafërsisht 20 vjeçare të praktikës në të drejtën ndërkombëtare penale dhe ka specializuar në rastet e dhunës seksuale lidhur me konfliktin. Ekzistojnë shumë sfida lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës me elemente të dhunës seksuale. Gjatë këtij trajnimi, me anë të diskutimeve dhe debateve, u paraqitën praktikat më të mira si dhe pjesëmarrësve ju dha mundësia që të shkëmbejnë pikëpamje dhe rekomandime lidhur me aspektet e ndjeshme të hetimit dhe ndjekjes së këtyre rasteve. Për shkak të natyrës së ndjeshme të këtyre krimeve, të mbijetuarit kanë hezituar që t’i raportojnë ato, ndërsa vetëm gjatë viteve të fundit kanë filluar që të flasin për përvojat e tyre dhe të kërkojnë qasje në drejtësi. 

Trajnimi u përqendrua në shembujt praktik për mënyrën e trajtimit të krimeve të luftës dhe llojet e provave që nevojiten për këto raste, duke u nisur nga të kuptuarit më të mirë të dhunës seksuale dhe të zhvillimeve për krimet seksuale të lidhura me konfliktin (korniza ligjore dhe praktika) deri tek planifikimi i përgjithshëm i hetimeve dhe mënyra e krijimit të dosjes së lëndës; të ushtruarit e vlerësimit dhe të dokumentimit paraprak të proceseve të hetimit, përfshirë mbledhjen e provave dhe dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale. Nevojiten qasje që kanë parasysh aspektin gjinor gjatë marrjes së deklaratës, mbledhjes së të dhënave dhe seancave dëgjimore, përfshirë mjedisin ku kryhet intervistimi i viktimave/dëshmitarëve  gjatë hetimeve dhe masat për mbrojtjen, fuqizimin dhe mbështetjen e viktimave dhe të dëshmitarëve. 

Punëtoria e radhës pritet të mbahet në fillim të qershorit 2016 në mënyrë që të prezantohen materialet e trajnimit dhe kurrikula e trajnimit për qëllime të trajnimit në të ardhmen. Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e zbatimit të Planit të Veprimit për qasje në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, të aprovuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës më 2015. Si i tillë, ky trajnim u organizua në bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë ndërmjet Institutit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe UN Women.