Lajme

Luftimi i krimeve ndërkufitare

20 maj 2016

Bashkëpunimi ndërkufitar është prioritet kur bëhet fjalë për luftimin e krimit të organizuar trans-nacional. Vendet e Ballkanit perëndimor janë duke u ballafaquar me shumë sfida ku gjithnjë e më shumë krimi është duke u bërë ndërkufitar; prandaj për luftimin e tij kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet agjencive për zbatimin e ligjit. Një nga problemet kryesore është cilësia e komunikimit dhe shkëmbimi i informatave si një komponentë e rëndësishme që kërkohet për zgjidhjen e këtyre krimeve.

Bashkërendimi i ngushtë ndërmjet agjencive për zbatimin e ligjit në Kosovë, Malin e zi dhe Shqipëri ishte një prej detyrave kryesore të projektit të IPA-s për Ballkanin Perëndimor i cili, në bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me EULEX-in, do ta mundësojë krijimin e një Qendre për Bashkëpunim Policor trepalësh. Kjo qendër e përbashkët do të vendoset në Plavë të Malit të zi.

Kjo Qendër e ardhshme për Bashkëpunim Policor (QBP) do të jetë një zyrë operative e veçantë e cila do të mundësojë shkëmbimin e shpejtë të informatave ndërmjet të gjitha autoriteteve të përfshira në menaxhimin e integruar të kufirit (MIK) ku do të përfshihen kontaktet me dhe prej Pikë-kalimeve kufitare, Terminaleve doganore, zyrave të policisë, duke e përforcuar bashkëpunimin ndërkufitar. Gjithashtu, kjo qendër do të jetë e lidhur edhe me Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit (QKMK) e cila ndodhet në Prishtinë, si dhe e synon rritjen e shkëmbimit të informatave ndërmjet Kosovës, Malit të zi dhe Shqipërisë.  

Për trajnimin e personelit lidhur me mënyrën se si funksionojnë në praktikë këto procedura dhe procesi i shkëmbimit të informatave, EULEX-i e ka organizuar një vizitë studimore tri ditore për policët kufitarë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i zi në një Qendër të ngjashme për Bashkëpunimin Policor trepalësh (Austri-Itali-Slloveni) që ndodhet në Tarvisio/Thorl Maglern. 

Vizita studimore u realizua prej 25 deri më 29 prill dhe përfshinte një program të ngjeshur me ligjërata nga udhëheqësit e kësaj qendre, si dhe përvoja të dorës së parë lidhur me praktikat evropiane më të mira përmes sqarimeve teorike dhe ushtrimeve praktike në përputhje me konceptin e ri evropian të bazuar në “aftësimin në vendin e punës”.

 “Veprimtaritë operative të kësaj qendre do t’i adresojnë çështjet si krimet ndërkufitare, krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, migrimi, kontrabandimi i drogës dhe armëve, mashtrimet doganore, dokumentet e falsifikuara dhe kundër-terrorizmi,” sqaron Giuseppe Colosanto, Shef i Njësisë Këshilluese për Çështje të Kufirit në EULEX. Ai shtoi se kjo qendër do të jetë në gjendje që të përgatisë analiza të përbashkëta të rrezikut dhe programe për trajnime të përbashkëta për përfaqësuesit ligj-zbatues të vendeve pjesëmarrëse. 

Aftësimi në vendin e punës

Krerët e palëve austriake-italiane-sllovene ia prezantuan Marrëveshjen Trepalëshe delegacioneve nga Ballkani, e cila e paraqet bazën ligjore të kësaj Qendre të Përbashkët, mbi të cilën realizohen detyrat, veprimtaritë dhe procedurat kryesore. Me pjesëmarrësit u diskutuan edhe procedurat dhe shembujt praktikë të rrjedhës së punës dhe shkëmbimit të informatave. Ata u informuan edhe për vlerën e shtuar dhe dobinë që e sjellin këto praktika në punën e forcave policore për luftimin e krimeve ndërkufitare, imigrimit të kundërligjshëm, vjedhjen e veturave, falsifikimin e dokumenteve, etj. dhe për mënyrën se si janë integruar veprimtaritë e Agjencive të ndryshme të kufirit në këtë Qendër.

“Siguria e kufirit dhe Qendra për Bashkëpunim Policor trepalësh në Plavë do të sjellë vlera plotësuese në luftimin e krimit ndërkufitar dhe për aspektet e sigurisë së Malit të zi, Shqipërisë, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në BE, si dhe për Kosovën në udhërrëfyesin e saj për liberalizimin e vizave, “ vlerëson Giuseppe Colosanto, Shef i Njësisë Këshilluese për Çështje të Kufirit në EULEX dhe menaxher i projektit të vizitës studimore në Itali.  

Qëllimi përfundimtar i këtij projekti është krijimi i rrjetit rajonal për bashkëpunim policor në Ballkanin Perëndimor, i cili do të jetë i lidhur me rrjetin policor të BE-së, si një mjet modern për ndërtimin e bashkëpunimit ndërkufitar efikas dhe efektiv, shkëmbimin dhe ndarjen e informatave dhe standardeve, duke e pasur një kornizë ligjore të përbashkët – duke përfshirë sistemin për mbrojtjen e të dhënave, analizat e përbashkëta të rrezikut, si dhe një qasje gjithëpërfshirëse të përbashkët.

EULEX-i i ka filmuar të gjitha aktivitetet kryesore të vizitës studimore dhe do ta përgatisë materialin për trajnime i cili do të shfrytëzohet për “trajnimin e shkallëzuar” të anëtarëve të ardhshëm të Qendrës së Përbashkët për bashkëpunimin Policor në Plavë. 

Për të parë videon reth studimit, klikoni në foto më poshtë: