Lajme

EULEX-i i trajnon policët kufitarë të Kosovës

11 korrik 2016

Zbulimi i dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit është njëra prej detyrave të secilit polic kufitar në kufij në secilin vend. Me zhvillimin e përgjithshëm të TI-së dhe të teknologjisë lidhur me të po zhvillohet vazhdimisht edhe falsifikimi i dokumenteve, duke e rritur në këtë mënyrë numrin e falsifikimeve të cilësisë së lartë të cilat i shfrytëzojnë kriminelët anembanë botës.

Më 6 korrik 2016, Njësia e EULEX-it për kufi dhe kufi administrativ veri  ka mbajtur një punëtori dy ditore të trajnimit për përafërsisht 50 policë kufitarë të Kosovës (PKK). Qëllimi i punëtorisë ishte trajnimi i PKK-së për t’i zbuluar dokumentet e falsifikuara të udhëtimit dhe paraqitja e një përmbledhjeje për mënyrën e zbulimit të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe arsyen pse është e rëndësishme kjo.

Pas fillimit të patrullimeve të përbashkëta ndërmjet EULEX-it dhe PKK-së, policët e EULEX-it vunë re që, edhe pse kishin njohuri dhe përvojë të mjaftueshme në fushën e përgjegjësisë, pjesa më e madhe policëve të PKK-së nuk kishin shkathtësi të mjaftueshme për t’i identifikuar dokumentet e falsifikuara.

Aktivitetet kryesore të trajnimit të mbajtur nga ekspertët e EULEX-it u përqendruan në tendencat më të reja të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit në Ballkan, në vendet e BE-së dhe në mbarë botën. Në trajnim u ofruan po ashtu edhe shembuj praktikë të falsifikimeve dhe u treguan metodat për zbulimin e tyre. 

Zona e Përgjegjësisë së dy stacioneve policore të PKK-së në veri mbulon rreth 140 km të vijës kufitare-administrative në të cilën ekziston një numër i madh i rrugëve të njohura dhe të atyre alternative. Kjo zonë kontrollohet nga 64 policë të PKK-së nga stacionet e policisë kufitare nga Zubin Potoku dhe Leposaviqi.

EULEX-i prezantoi një doracak të trajnimit me teknikat më të reja të zbulimit të falsifikimit të dokumenteve të cilat do të shfrytëzohen si mjet për luftimin efektiv të mashtrimit në Kosovë.