13 korrik 2016
Misioni EULEX organizoi një seminar tre-ditorë për gjykimin e rasteve penale që kanë të bëjnë me dhunën gjinore. Trajnimi i specializuar, mbajtur prej 13-15 korrik, u përqendrua në fuqizimin e kapaciteteve të gjyqtarëve të Kosovës të cilët u përzgjodhën nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të marrë pjesë në panelet e specializuara që kanë për detyrë ta zbatojnë një qasje të ndjeshme gjatë shqyrtimit të rasteve të dhunës gjinore.
Udhëheqësi i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ritheksoi rëndësinë e sundimit të ligjit për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale dhe të asaj gjinore. Kosova e ka tejkaluar gjendjen e vështirë. Krijimi i paneleve të specializuara me gjyqtarë të trajnuar për tu marrë me veprat penale të kësaj natyre i dërgon shoqërisë dhe botës porosi të qartë që keqpërdorimi i kësaj natyre nuk do të tolerohet, theksoi gjyqtari Simmons gjatë hapjes së trajnimit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje: Është hera e parë që po mbajmë një trajnim të këtillë, shpresojmë që do të realizohet qëllimi për zgjerimin e njohurive tona lidhur me gjykimin e rasteve të dhunës seksuale dhe të asaj gjinore."
Ai po ashtu e falënderoi EULEX-it për mbështetjen e tij të vazhdueshme në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Trajnimin e zhvilluan ekspertët e jashtëm në këtë fushë, Annika Wiberg dhe Lennart Johansson, nga Administrata e Gjykatave Nacionale të Suedisë. Përmes diskutimeve dinamike dhe ndërvepruese në grup, trajnimi preku disa tema siç është qasja në drejtësi, të kuptuarit dhe identifikimi i llojeve të dhunës gjinore, ndikimi i dhunës gjinore në shëndetin mendor dhe në atë fizik, dëshmitë, mjedisi i gjykatores, viktimat, trajtimi i dëshmitarëve dhe besimi në drejtësinë penale.
Sipas gjyqtarit Simmons, qëllimi i këtij trajnimi është zgjerimi i të kuptuarit të natyrës dhe të llojeve të veprave penale me të cilat do të merret gjyqësori i Kosovës, sfidat me të cilat ai padyshim që do të përballet dhe pajisja e personelit gjyqësor me shkathtësitë e kërkuara për menaxhimin efektiv të rasteve të tilla.
EULEX-i do ti përcjellë rezultatet dhe ndikimin e trajnimit dhe do ta prezantojë një doracak të trajnimit për gjykimin e rasteve të dhunës gjinore, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare dhe në qasjen që e merr parasysh gjininë.
Klikoni më poshtë per te parë videon: