27 shtator 2016
Sot, shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX-i) zj. Alexandra Papadopoulou takoi Ministrin e Kosovës për Punë të Brendshme z. Skender Hyseni. Shefja e Misionit e falënderoi Ministrin për mbështetjen ofruar EULEX-it deri më tani, dhe shprehi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në të ardhmen.
Zj. Papadopoulou theksoi bashkëpunimin tashmë të themeluar me Ministrinë, në veçanti me Policinë e Kosovës dhe me Agjencinë e Regjistrimit Civil, dhe potencoi se Misioni është i gatshëm ta ndihmojë dhe mbështesë më tutje Ministrinë. Vlen të theksohet bashkëpunimi i mirë me Policinë e Kosovës, përfshirë këtu një sërë operacionesh të përbashkëta. Misioni do të vazhdojë ta mbështesë Policinë e Kosovës dhe Policinë Kufitare të Kosovës, në veçanti në lidhje me menaxhimin e integruar të kufirit dhe Qendrën Nacionale për Menaxhim të Kufirit, tha zj. Alexandra Papadopoulou.