Lajme

Në Prishtinë u mbajt takimi i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

07 dhjetor 2016

Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit u takua sot në Prishtinë për ta vlerësuar progresin në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Gjatë këtij takimi u publikua Raporti i Progresit për Marrëveshjen Kompakte, që e bën vlerësimin e progresit ndërmjet muajit gusht 2015 - qershor 2016.

Në këtë takim morën pjesë Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, bashkë me Shefen e Misionit EULEX në Kosovë zj. Alexandra Papadopoulou, Shefen e Zyrës së BE-së/PSBE, Nataliya Apostolova,  Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës Blerim Isufaj.

Raporti i Progresit për Marrëveshjen Kompakte shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sundimit të ligjit në Kosovë, pasi në të janë regjistruar përmirësimet dhe sfidat e mbetura të vitit të fundit të mandatit të kaluar të EULEX-it 2014-2016. Po ashtu, ai paraqet një standard për të ardhmen, gjatë së cilës do të pasqyrohet një rritje e pronësisë së institucioneve kosovare e paraparë në mandatin e ri të EULEX-it.

Të gjitha palët e ritheksuan përkushtimin e përtëritur të tyre për të krijuar sundim të ligjit të qëndrueshëm, të pavarur dhe shumë etnik pa ndërhyrje politike dhe duke ju përmbajtur standardeve të njohura ndërkombëtare.

Ministrja Dhurata Hoxha e përshëndeti dokumentimin e progresit dhe sfidave në kuadër të sundimit të ligjit të bërë në këtë raport vjetor. Ministrja Hoxha shprehu zotimin e Qeverisë së Kosovës për ti adresuar sfidat nga raporti për Kosovën dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet e sundimit të ligjit për ta fuqizuar sundimin e ligjit në Kosovë.

Shefja e Zyrës së BE-së/PSBE e përshëndeti publikimin e Raportit të Progresit për Marrëveshjen Kompakte 2016 dhe i përgëzoi institucionet kosovare të sundimit të ligjit për punën e bërë gjatë vitit të kaluar.

“Siç është cekur në Raportin e Progresit për Marrëveshjen Kompakte, janë bërë hapa të rëndësishëm pozitivë me miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të nevojshëm për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në kontekstin e zbatimit të Marrëveshjet për Stabilizim dhe Asocim, Zyra e BE-së/PSBE vazhdon t’i përkrah institucionet kosovare për zhvillimin e një sistemi të pavarur, efikas, të qëndrueshëm dhe llogaridhënës të sundimit të ligjit.”

Sipas këtij raporti, Kosova i ka arritur një numër të objektivave të rëndësishme, pasi që institucionet kosovare gjithnjë e më shumë janë në gjendje që t’i adresojnë vetë sfidat e sundimit të ligjit. Dogana e Kosovës e ka përmirësuar shkallën e arkëtimit të hyrave si dhe kapacitetet funksionale të saj, ndërsa udhërrëfyesi për Mbrojtjen e Dëshmitarëve është përmbushur dhe Drejtoria e Policisë së Kosovës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve është e gatshme që t’i trajtojë dëshmitarët e saj të parë. Policia e Kosovës është një shërbim publik profesional, ku përfshihen të gjitha pakicat etnike. Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë është duke funksionuar relativisht mirë, si dhe Burgu i Sigurisë së Lartë në Podujevë.

Megjithatë, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorëve të Shtetit ka nevojë për përmirësime të mëtejme, veçanërisht gjatë hetimit të krimeve të rënda dhe të organizuara. Kapacitetet e institucioneve vendase pengohen nga mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare.

Mbetet shqetësim çështja e plotësimit të personelit në përgjithësi të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës. Një prej sfidave më të mëdha për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës mbetet zbatimi i procesit të ri të punësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, aftësimi i tyre dhe rikrijimi i sistemit të vlerësimit të performancës.

Paneli i Ankesave i Agjencisë Kosovare të Pronës dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme duhet të punësojnë personel shtesë për t’u marrë me lëndët e tyre.

Shefja e Misionit EULEX, zj. Alexandra Papadopoulou, e përgëzoi Kosovën për të arriturat e saj, duke theksuar se nevojitet progres i mëtejmë për t’i arritur synimet e përcaktuara bashkërisht dhe për t’i mundësuar EULEX-it që të mos përfshihet në disa prej fushave të caktuara.

"Qëllimeve ambicioze të këtij Raporti të Progresit për Marrëveshjen Kompakte u nevojitet angazhimi ynë i përbashkët për të siguruar që Kosova të jetë në gjendje t’i arrijë kapacitetet e nevojshme ashtu që të mund t’i merr përgjegjësitë nga EULEX-i. Ne jemi të gatshëm që t’i përkrahim institucionet kosovare për sundimin e ligjit, që ta arrijnë këtë qëllim në përpjekjet e tyre për ta ndërtuar një sundim efikas të ligjit për të mirën e të gjithë qytetarëve,” theksoi zj. Papadopoulou.

Gjatë takimit të sotëm të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, Përfaqësuesja Speciale e BE-së/Zyra e BE-së dhe EULEX-i diskutuan lidhur me përkrahjen e vazhdueshme për institucionet kosovare të sundimit të ligjit. Me këtë rast u nënshkrua Marrëveshja Kompakte 3, me çka në mënyrë formale u ripërtëri zotimi për të ndërtuar institucione të fuqishme të sundimit të ligjit për Kosovën. Të gjithë kryesuesit e BPSL-së janë të vendosur për t’i zgjidhur problemet që janë para tyre. BE-ja është gatshme që t’i ndihmojë homologët vendas, ndërsa homologët vendas janë duke marrë gjithnjë e më shumë përgjegjësi për Kosovën.

Video-linku: http://www.eulex-kosovo.eu/?page=2,13,59

Dokument-linku: Raporti i Progresit të Kompaktit 2016