08 dhjetor 2016
Gjatë një punëtorie të mbajtur më 6–7 dhjetor në grykën e Rugovës, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i EULEX-it për Sundimin e Ligjit në Kosovë e filluan Forumin për Transparencë në Drejtësi, me qëllim të krijimit të një hapësire formale për komunikim të vazhdueshëm mes gazetarëve dhe institucioneve të drejtësisë.
Ky Forum ka për qëllim që ta ndërtojë dialogun ndërmjet mediave dhe institucioneve të drejtësisë dhe që ta rrisë transparencën e sistemit të drejtësisë.
“Forumi është krijuar pas identifikimit të dy nevojave: që gazetarët të njoftohen më mirë për procesin gjyqësor dhe mënyrat për kërkimin dhe marrjen e informatave publike që kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore, në njërën anë, dhe që zëdhënësit e gjykatave dhe përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë ta fuqizojnë komunikimin e tyre me mediat dhe të japin informata përkatëse publike të sakta dhe me kohë, në anën tjetër,” tha Dane Koruga, Shef i Sektorit për Media në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Duke e pasur parasysh nevojën e shtuar për një fushëveprim më të gjerë të palëve të interesit, Forumi do të përfshijë, po ashtu, përfaqësuesit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, shoqatat e gazetarëve, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, si dhe zëdhënësit e gjykatave dhe institucioneve të drejtësisë nga mbarë Kosova.
“Publikimi i procedurave gjyqësore nënkupton ruajtjen e baraspeshës në mes të drejtave të qytetarëve për informim dhe respektimit të privatësisë dhe supozimit të pafajësisë së individëve të përfshirë në proces. Kjo baraspeshë në mes të drejtave kolektive dhe individuale i përkufizon të gjitha ndërveprimet mes gjyqësorit dhe mediave. Ne e kemi krijuar këtë platformë bashkërisht, ku disa prej këtyre çështjeve do të mund të trajtohen për të mirën e të gjithëve dhe kryesisht të publikut”, tha Dragana Nikolic Solomon, Shefe e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik në EULEX.
Në kuadër të këtij fillimi u strukturuan edhe iniciativat e Forumit për vitin 2017, të cilat do të përfshijnë raportimet nga gjykimet e simuluara në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të Kosovës – ku EULEX-i ende ka kompetenca ekzekutive – dhe iniciativa të tjera për përmirësimin e raportimit lidhur me drejtësinë penale.