Lajme

Ngritja e kapaciteteve të institucioneve kosovare të sundimit të ligjit për trajtimin e rasteve të krimeve të urrejtjes

13 dhjetor 2016

Divizioni i EULEX-it për Fuqizim organizoi një punëtori dyditore për Policinë e Kosovës, prokuroritë dhe gjyqësorin, institucione këto të përfshira në procesimin e rasteve të krimeve të urrejtjes. Kjo punëtori u mbajtë më 8 dhe 9 dhjetor 2016 në Prishtinë.

Në bazë të aktiviteteve të Misionit për monitorim, mentorim dhe këshillim, dhe ndërveprimit të vazhdueshëm me institucionet kosovare të sundimit të ligjit, EULEX-i identifikoi mospërputhje të mundshme tek numri i incidenteve të krimeve potenciale të urrejtjes që ndodhin brenda komuniteteve kryesisht në lidhje me raportimin dhe hetimin e atyre veprave. Përveç kësaj, institucionet kosovare të sundimit të ligjit kanë shprehur vullnetin për harmonizim të kuptimit të asaj që përbënë krim të urrejtjes dhe për reagim më të bashkërenduar dhe qasje efektive të partneritetit me rastin e procesimit të këtyre rasteve. Punëtoria pati për qëllim që të ndihmojë avancimet e mëtejme sa i përket bashkëpunimit, bashkërendimit dhe ndërveprimit mes institucioneve përkatëse kosovare të sundimit të ligjit.

Punëtoria u zhvillua në formë të tryezës së rrumbullakët me diskutime interaktive që patën për qëllim identifikimin e nevojës për një qasje më të harmonizuar për përkufizimin dhe aktivitetet e reagimit në lidhje me krimet ndëretnike apo incidentet e ndërlidhura. Organizatori i kësaj punëtorie, Mark Dixon, këshilltar nga EULEX-i për Zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të operacioneve, tha: “Kjo punëtori mund të ndihmojë për avancimin e qasjes së viktimave në drejtësi dhe rritjen e besimit në mesin e komuniteteve pakicë, të cilët shpesh janë joproporcionalisht të prekur nga këto lloje të krimeve.”

Pas përfundimit të kësaj punëtorie, mbetet që ekspertët e EULEX-it të përgatisin një studim për homologët vendorë ku do të shqyrtohen shembuj nga korniza juridike në bazë të praktikave më të mira evropiane lidhur me incidentet ndëretnike. Një draftkornizë e përbashkët do të përgatitet me konsensusin e të gjithë pjesëmarrësve të tryezës së rrumbullakët për të shërbyer si referencë standarde për përcaktimin e definicionit të përbashkët ndërinstitucional të incidenteve ndëretnike së bashku me një kornizë të përbashkët të statistikave, tek e cila do të kenë qasje të gjitha institucionet e përcaktuara të sundimit të ligjit dhe do t’i paraqesin informatat për rastet përkatëse.