30 janar 2017
Më 28 janar në Prishtinë u mbajt konferenca vjetore e prokurorëve të Kosovës. Në këtë konferencë ishin të pranishëm mbi 200 prokurorë, si dhe Zëvendësshefi i Misionit, Bernd Thran, dhe Kryeprokurori i EULEX-it, Claudio Pala.
Të pranishëm po ashtu ishin edhe Hashim Thaçi, Kryetar i Kosovës, Nataliya Apostolova, PSBE/Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dhurata Hoxha, Ministre e Drejtësisë, Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe Colleen Hyland, Zëvendësshefe e Misionit në Ambasadën Amerikane, të cilët po ashtu mbajtën fjalime përshëndetëse.
“Barometër i mirë i suksesit të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit është përmasa e EULEX-it. Kur Misioni filloi punën në fund të vitit 2008, ai kishte rreth 3000 të punësuar. Sot, pas tetë vitesh, Misioni numëron vetëm 800 të punësuar,” tha z. Thran në fjalimin e tij.
Ai e përmbylli fjalën e tij duke thënë, “Dëshiroj të theksoj se EULEX-i, familja e gjerë e BE-së, dhe miqtë tanë nga komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në ngritjen e fuqishme që ka shënuar gjatë viteve të fundit.”
Gjatë konferencës u diskutuan tema të ndryshme, rreth arritjeve dhe sfidave në menaxhimin e ndjekjeve penale, sfidave të prokurorëve të shtetit, hapave drejt trajtimit të atyre sfidave, si dhe rreth bashkëpunimit mes avokatëve të viktimave dhe prokurorëve të shtetit.