Lajme

Të mos e lëmë askënd prapa

08 mars 2017

Editorial nga Shefja e Misionit EULEX për të përditshmen Koha Ditore – shtojca për Ditën Ndërkombëtare të Gruas – bashkë me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) conjunction

Nga Alexandra Papadopoulou, Shefe e Misionit të bashkimit Evropian për Sundimin E ligjit në Kosovë

Shpesh herë është thënë që asnjë shoqëri nuk mund të ecën përpara nëse gjysma e popullatës së saj është e përjashtuar. Apo, thënë ndryshe, shoqëria duhet të ‘vlerësohet’ nga mënyra se sa mirë i mbron ajo të gjithë qytetarët e saj dhe u ofron atyre një gamë të tërë të shërbimeve – të sundimit të ligjit, arsimit, shëndetësisë – e jo vetëm një klase apo grupi të favorizuar.  Prandaj kjo mund të jetë njëra prej arsyeve pse shpesh herë është thënë se ‘të drejtat e gruas janë të drejta të njeriut. Ndërse të drejtat e njeriut janë të drejta të gruas dhe burrit.’  Për mua, Dita Ndërkombëtare e Gruas ka të bëjë me pranimin e faktit se ne të gjithë jemi të ndërlidhur – si burrat ashtu edhe gratë – prandaj nuk duhet lënë asnjërin prapa (shprehje kjo e njohur).

Gjatë këtyre gjashtë muajve si Shefe e EULEX-it, unë kam takuar shumë gra në Kosovë që kanë role të rëndësishme të udhëheqjes – Ministrja për Dialog, Ministrja e Drejtësisë, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese janë disa nga to – si dhe kuota prej 30 për qind për parlamentaret femra, pa e përmendur faktin që tashmë e kishim një Presidente femër. Po ashtu, unë jam takuar me disa prej grave udhëheqëse të fuqishme dhe të talentuara në shoqërinë civile që tashmë e kanë dëshmuar veten të jenë agjentë të rëndësishëm të ndryshimeve në shoqërinë lokale.

Megjithatë, do të isha e pasinqertë nëse do thosha se gratë në Kosovë nuk përballen me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha, siç janë mundësitë për punësim (thjeshtë 18%) apo pronësia e tokës (vetëm 16%) – që janë në mesin e shkallëve më të ulëta në Evropë.  Si mund ta thyejmë këtë cikël? Përgjigja është e thjeshtë: përmes arsimimit – dhe jo vetëm arsimimin e grave dhe vajzave, por të gjithëve. Gjatë qëndrimit tim të shkurtë deri tani këtu, i kam parë rezultatet nga pjesëmarrja për herë të parë e Kosovës në vitin 2015 në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtarë të Nxënësve (PISA).  Nga gjithsej 72 vendet pjesëmarrëse, Kosova u rendit në grupin e tre vendeve me suksesin më të dobët.  Ne krijojmë mbështetjen për përmirësimin e këtyre rezultateve duke e përfshirë secilin pjesëtar të shoqërisë së Kosovës, burra dhe gra, për të ecur drejt krijimit të ndryshimit.  Me fjalë tjera, ne nuk e lëmë askënd prapa.

Pra, si ndikojnë të drejtat gjinore apo të njeriut në punën time në EULEX?  Si një mision për sundimin e ligjit, detyra kryesore e EULEX-it është fuqizimi i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, duke siguruar përputhshmërinë me standardet e njohura ndërkombëtarisht dhe praktikat më të mira evropiane. Mos të harrojmë se shtetet anëtare të BE-së ka kohë që kur janë zotuar për ta mbështetur Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e cila bën thirrje për pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë dhe përfshirje të grave në të gjitha përpjekjet për ta ruajtur dhe promovuar paqen dhe sigurinë.  EULEX-i tashmë e ka bërë këtë zotim për t’i përfshirë të drejtat e njeriut, si dhe perspektivën dhe standardet për çështjet gjinore në të gjitha aktivitetet tona, qofshin ato të natyrës së brendshme – në kuadër të vetë Misionit – apo të jashtme – gjatë punës së përbashkët me institucionet e Kosovës. Dhe rezultatet nuk kanë munguar.

Prej vitit 2015, EULEX-i e ka krijuar rrjetin e pikave të kontaktit për çështje gjinore (PKGJ), i cili funksionon si një mekanizëm i brendshëm për t’i identifikuar dhe adresuar çështjet ku ekziston mos barazia gjinore apo kur gjinia duhet të bëhet perspektivë e domosdoshme në veprimet tona të brendshme si he të jashtme. Po u jap një shembull.  PKGJ-të kanë krijuar iniciativa lidhur me mbledhjen dhe analizimin e të dhënave të ndara sipas aspektit gjinor për krimet e kryera në Kosovë, d.m.th. duke i theksuar incidentet lidhur me dhunën në baza gjinore në mënyrë që të bëhen analiza gjinore për t’i identifikuar trendët dhe statistikat e ndjeshme gjinore.  Nga këtu kanë lindur edhe përpjekjet për luftimin e dhunës në baza gjinore. Një PKGJ në Mitrovicë ka ndërmarrë iniciativën për ta formuar një mekanizëm të rregullt ku janë bashkuar të gjithë aktorët përkatës (Policia e Kosovës, prokurorët, avokatët e viktimave, strehimoret, shërbimet mjekësore dhe Qendra për Mirëqeni Sociale) për të diskutuar për çështjet e përbashkëta dhe për koordinimin e rasteve të dhunës në baza gjinore me qëllimin e qartë të identifikimit të mënyrës se si mundet secili prej tyre t’u ndihmojë viktimave të dhunës në familje dhe të ndihmojë në integrimin e tyre në shoqëri. Dhe derisa kjo iniciativë erdhi nga EULEX-i, pronësia lokale i vlerësua si një komponent i rëndësishëm për të siguruar suksesin e vazhdueshëm në ecjen përpara. 

Një shembull tjetër ka të bëjë me iniciativën e ish-Presidentes Atifete Jahjaga për ta përmirësuar qasjen në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë. Autoritetet lokale me përkrahjen e EULEX-it, e kanë themeluar një grup punues të cilit më vonë i janë bashkuar edhe organizata tjera ndërkombëtare e vendase, i cili ka sjellë deri te vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të caktuar gjyqtarë të specializuar në të gjitha gjykatat e qarkut në Kosovë që të merren me rastet e dhunës seksuale dhe në baza gjinore. Pas kësaj, EULEX-i organizoi trajnime të specializuara për gjyqtarët, hetuesit policorë dhe prokurorët vendas.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, le të zotohemi që të drejtat e gruas janë të drejta të njeriut, si dhe të angazhohemi për të drejta dhe mundësi të barabarta për pjesëtarët e të dy gjinive.  Si dhe të mos e lëmë askënd prapa, duke e përfshirë barazinë gjinore në çdo detyrë, qoftë e madhe apo e vogël.