19 janar 2015
Me detyra policore moderne nënkuptojmë shumë më tepër se vetëm pajisje dhe teknologji, ato përfshijnë një mënyrë krejtësisht tjetër të të menduarit.
Kur dikush kërkon nga ju që të mendoni për një imazh që përkon me fjalën policia, askush nuk ju sheh për të madhe nëse ju ka shkuar mendja për një veturë të policisë me alarm të aktivizuar në përgjigje të një emergjence, ose për një ekip të policëve të cilët janë duke e prangosur një kriminel të dhunshëm. Kjo për shkakun se ne e kemi mendjen te detyrat policore tradicionale. Mirëpo, me kalimin e viteve, në polici u zhvilluan metodat moderne dhe këto metoda të reja, i mundësojnë policisë që të bëhet shumë më efektive në luftimin e krimit dhe ruajtjen e rendit publik. Paraqitja e policimit në komunitet ka luajtur një rol të madh në këtë drejtim.
Para ardhjes së misionit të EULEX-it në Kosovë në vitin 2008, policimi në komunitet ishte një koncept ende i paformuar i mënyrës së kryerjes së detyrave policore. EULEX-i na e solli kualitetin e nevojshëm i cili na nevojitej për të na ndihmuar që të zhvillojmë nivelin e ardhshëm të kryerjes së detyrave policore, thotë Togeri Selman Tanushi, zëvendës-komandant i Stacionit policor në Gjakovë, ata na kanë ngritë në një nivel më të lartë, në shumë fusha të punës.
Ndërsa, statistikat sugjerojnë se policimi në komunitet mund të tregojë një dallim të mirëfilltë. Strategjia dhe Plani i Veprimit 2012-2016 për Policimin në Komunitet i Policisë së Kosovës tregon se numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara në Policinë e Kosovës ka shënuar një trend të rënies, që nga viti 2008. Mirëpo, çfarë është policimi në komunitet dhe pse është aq efektiv në uljen e nivelit të krimit?
Nëse i kthehemi imazhit të detyrave policore tradicionale më lartë, policimi në komunitet mund të mendohet si një punë e cila kryhet në mënyrë të qetë dhe të kujdesshme nga policia brenda komunitetit, në rend të parë për të parandaluar nevojën e angazhimit të veturës së patrullës policore për tu përgjigjur në një rast të emergjencës ose për të parandaluar nevojën e arrestimit të një krimineli të dhunshëm. Luftimi i krimit dhe ruajtja e rendit publik janë me rëndësi, por të gjitha rastet e rënda fillojnë nga gjërat e vogla, shpjegon Paul Akkermans, një polic belg i cili ka shërbyer në EULEX deri në vitin 2014.
Policimi në komunitet ka të bëj me policët të cilët dalin në komunitet dhe zhvillojnë partneritete, identifikojnë probleme dhe i zgjidhin ato, të jesh në mesin e qytetarëve dhe të identifikosh bezditë e vogla në një fazë të hershme dhe duke punuar në mënyrë proaktive drejt pengimit të përkeqësimit të mëtejmë të gjërave, paraqet thelbin e punës sonë vazhdon ai.
Martin Boom, një polic holandez, thotë se me këtë mund të nënkuptohet çdo gjë, si duke u shtyrë me komunën që ti rregullojë poçet e thyera të ndriçimit të qytetit, e deri te bashkëpunimi i ngushtë me drejtorin e shkollës së mesme për të mbrojtur gjeneratën e ardhshme nga ndikimi i krimit. Z. Boom, ka dy vite që punon me Policinë e Kosovës, duke shkëmbyer mendimet dhe përvojat me stacionet policore nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Incidentet ndëretnike mund të sjellin shumë shpejt deri te humbja e kontrollit. Fadil Gashi, një polic nga Peja, thotë se policimi në komunitet mund të jetë një vegël efektive për të parandaluar një gjendje të tillë, veçanërisht në një mjedis si Peja, që është i ndjeshëm ndaj incidenteve ndëretnike: Policimi në komunitet ka qenë një mënyrë shumë e nevojshme për ruajtjen e qetësisë në komunitet, veçanërisht kur dihet se gjendemi në një periudhë të pasluftës.
Togeri Gashi është bërë si një ekspert i policimit në komunitet dhe gjithë karrierën e tij policore e ka kaluar në rajonin e Pejës. Unë e kam zgjedhur punën e policimit në komunitet sepse besoj se është njëra nga fushat më të rëndësishme të punës, shton ai.
Kolegët tanë evropianë na kanë dhënë ide dhe përvoja të cilat na kanë ndihmuar për ta çuar policimin në komunitet në një nivel më të lartë. Për shembull, ne kemi punuar bashkë në fillimin e fushatës anti-drogë gjatë së cilës kemi arritur të kontaktojmë me nxënës dhe përmes mënyrave inovative u kemi shpjeguar atyre për rreziqet që vijnë nga përdorimi i drogës, thotë Toger Gashi.
Ne po ashtu kemi punuar bashkërisht në fillimin e një lloji tjetër të projektit me shkolla. Ideja ishte që të gjendet një mënyrë për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me të rinjtë; kjo është shumë me rëndësi për policimin në komunitet, theksoi ai.
Këto projekte janë hartuar në mes të EULEX-it dhe PK-së për të ndihmuar për mënyrën e qasjes ndaj problemit në rritje të prezencës dhunës dhe drogave në shkollat e rajonit të Pejës. Në mungesë të mbështetjes së duhur, fëmijët e dhunshëm, potencialisht mund të bëhen kriminelë të dhunshëm pasi të jenë larguar nga shkolla. Ndërsa, personat e involvuar në droga shpesh e gjejnë veten të shtyrë në botën e krimit parandalimi i kësaj ndihmon në zvogëlimin e nivelit të krimeve potenciale në rajon.
Të mendosh për idetë kreative për zgjidhjen e problemeve dhe parandalimin e tyre nga dalja jashtë kontrollit paraqet një shkathtësi esenciale e cila e mundëson funksionimin e suksesshëm të policimit në komunitet. Kjo mënyrë e të menduarit nuk mund të mësohet brenda natës, nevojiten disa ditë për të mësuar një shkathtësi të re të policimit në komunitet ose të mësosh përdorimin e një vegle të re, mirëpo të mësosh një mënyrë krejtësisht të re të të menduarit nevojitet shumë durim dhe këmbëngulje, thotë z. Boom.
Policia e Kosovës tani e ka një udhëzues për trajnime për policimin në komunitet i cili është zhvilluar nga z. Akkermans gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Ky udhëzues tani është duke u përdorur për trajnimin e policëve të PK për policimin në komunitet.
Kjo është një vegël strategjike e rëndësishme për vetëdijesimin e operatorëve themelorë të PK-së mbi këtë temë vazhdon ai.
Policimi në komunitet është pjesë e një qasje të mprehtë, afatgjatë drejt arritjes së standardeve nga Policia e Kosovës të cilat përgjithësisht njihen si praktikat më të mira evropiane.
Gjatë qëndrimit tim në Kosovë nuk mund të përmend ndonjë statistikë lidhur me numrin e hetimeve të kryera nga njësia ime, ose për numrin e gjykimeve të kryera. Detyra ime dallon nga këto. Mirëpo, për mua paraqet kënaqësi fakti që kam mundur të ndihmojë për mënyrën e të ndryshuarit të mendimit në polici nga e cila do të përfitojnë qytetarët në të ardhmen, konkludon z. Boom.