Lajme

Shefja e Misionit mban fjalim në seminarin e organizuar nga Ambasada e Finlandës

26 prill 2017

Shefja e Misionit EULEX, Ambasadorja Alexandra Papadopoulou, mori pjesë sot në seminarin e nivelit të lartë me temën ‘Finlanda dhe Kosova ndërtojnë bashkë të ardhmen: Ndërmjetësimi për paqe, menaxhimi i krizave dhe Plani Ahtisaari – Rruga përpara’, i organizuar nga Ambasada e Finlandës në Prishtinë si pjesë e ‘Evenimenteve Finlanda 100’ në shenjë të kremtimit të njëqindvjetorit të pavarësisë së Finlandës.

Gjatë fjalimit të saj, në panelin ‘Plani Ahtisaari, paqja dhe sundimi i ligjit’, Ambasadorja  Papadopoulou theksoi se Plani Ahtisaari me të drejtë mund të konsiderohet si trashëgimi e përjetshme e rolit të rëndësishëm dhe pozitiv të Finlandës për ndihmën dhënë Kosovës dhe rajonit të Ballkanit perëndimor drejt zhvillimit në një shoqëri demokratike dhe shumetnike me respekt të plotë për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Më tej ajo theksoi se Plani jo vetëm që ka paraparë parametrat themelor të sundimit të ligjit që do t’i udhëhiqnin autoritetet e Kosovës drejt konsolidimit të mëtejmë demokratik, por ka paraparë edhe funksionet dhe përgjegjësitë kryesore të një misioni të Politikës Evropiane për Siguri dhe Mbrojtje në fushën e sundimit të ligjit, të pasqyruara më pastaj në vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për themelimin e misionit dhe mandatin themelor të EULEX-it.

Shefja e Misionit EULEX po ashtu theksoi se ndonëse padyshim që ende ka sfida, Kosova ka shënuar përparim të konsiderueshëm në fushën e sundimit të ligjit që nga përcaktimi i atyre parametrave dhe themelimi pasues i EULEX-it.