Lajme

Konferencë mbi temën e personave të pagjetur – Kërkimi vazhdon

23 gusht 2017

Sot, më 23 gusht, në Prishtinë u mbajt konferenca për çështjen e personave të pagjetur e organizuar nga Qendra burimore për personat e pagjetur dhe e mbështetur nga Ambasada e Britanisë në Prishtinë.

Tarja Formisto, zëvendësdrejtoreshë nga EULEX-i në Institutin e mjekësisë ligjore,  bëri një prezantim të sfidave dhe rezultateve të arritura që nga viti 2000 në lidhje me identifikimin e suksesshëm të personave të pagjetur.

Konferencën e hapi Presidenti i Kosovës z. Hashim Thaçi, ku ishin të pranishëm kryesuesi i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur dhe kryesuesit e grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit. Të pranishëm ishin edhe udhëheqësi i Institutit të mjekësisë ligjore, përfaqësues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Komisioni ndërkombëtar për persona të pagjetur, si dhe zyrtarë nga Ambasada e Britanisë.

Zj. Formisto foli për një sërë çështjesh me të cilat përballen zyrtarët gjatë përpjekjeve të tyre drejt identifikimeve të mëtejme. Në veçanti, ajo iu bëri thirrje personave të pagjetur që të ofrojnë mostra të ADN-së dhe si dhe informata relevante që do të ndihmonin për gjetjen dhe konfirmimin e identifikimit të personave shtesë.

Ajo po ashtu u përqendrua në përpjekjet e ripërtërira të EULEX-it për rihapjen e rasteve që janë përmbyllur të cilat rezultuan në identifikimin e suksesshëm të më shumë personave të pagjetur. Që nga viti 2011 janë shqyrtuar më shumë se 1180 raste të përmbyllura. ‘Unë kam përgjegjësi që t’i zgjidhi sa më shumë raste që mundem,’ tha ajo. ‘Nëse gjatë këtij procesi do të jetë e nevojshme të kthehemi prapa, ne do të kthehemi.’

Që nga viti 2016, EULEX-i ka zbatuar teknika të reja të vizualizimit gjeografik me ndihmën e arkeologëve forenzikë nga EULEX-i. Kjo teknologji i ndihmon procesit të kërkimit të zonave që më parë nuk janë prekur për qëllime të gërmimeve.  ‘Kjo ka kërkuar shumë punë, por rezultatet flasin vet,’ theksoi ajo.

Që nga fillimi i misionit në dhjetor të vitit 2008, kur EULEX-i filloi të punoi me Institutin e mjekësisë ligjore, mbetjet e 495 viktimave u janë kthyer familjeve. Këtu përfshihen 390 persona të pagjetur të cilët janë gjetur pas 570 operacioneve intensive në teren dhe analizave laboratorike, autopsive dhe punës për identifikim, si dhe analiza të rreth 2200 ADN nga mostra të ashtit.