Lajme

Legally Correct

20 nëntor 2017

Përderisa ky mision në mënyrë të natyrshme përqendrohet shumë në korrektësinë politike të tij, ai gjithashtu nuk duhet ta harrojë rëndësinë e korrektësisë ligjore. Stafi i misionit të EULEX-it përfshin shumë ekspertë ligjorë që punojnë brenda shtyllave të shumta të sistemit të drejtësisë. Për ta theksuar rëndësinë e saktësisë dhe precizitetit në shkrimet ligjore, një Zyrtare Ligjore e Prokurorisë së EULEX-it, Natalie Dawson, e krijoi një program për zyrtarët ligjorë të Prokurorisë së Kosovës dhe për bashkëpunëtorët profesionalë, duke u bashkuar me dy ekspertë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të ofruar trajnime për përmirësimin e kapaciteteve të këtyre profesionistëve kryesorë për të marrë përsipër sa më shumë nga hartimi i teksteve ligjore të deleguara nga prokurorët. Kjo ka për qëllim që t’ua lehtësojë punën të dyja palëve - zyrtarët ligjorë përfitojnë ekspertizë më të madhe në detyrat e tyre të përditshme, kurse prokurorët kanë më shumë kohë për të qenë në gjykatore.

Menaxherja e Projektit Natalie Dawson shpjegon: "Tash kur EULEX-i gradualisht është duke i dorëzuar lëndët penale tek prokuroritë e Kosovës, ky lloj trajnimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për t’i shtuar aftësitë e të gjithë profesionistëve kryesorë që punojnë në ato zyra, për ta bërë tranzicionin sa më të lehtë."

Ky lloj i ekspertizës i ofruar nga Misioni ynë vlerësohet shumë nga kolegët vendas. Në fakt, kjo është hera e parë që EULEX-i e ka përcaktuar këtë grup të rëndësishëm profesionistësh për trajnim. Pjesëmarrësit nuk ngurrojnë ta ndajnë së bashku vlerësimin e tyre për përvojën e të nxënit, gjë që do t'i bëjë sfidat e ardhshme shumë më lehta. 

Kësisoj, zj. Gentiana Mustafa, zyrtare ligjore në Prokurorinë Themelore në Gjilan, thekson se: "Përvoja është shtylla kryesore për shkathtësi të shkëlqyera në shkrimin e dispozitave ligjore. Ky trajnim padyshim do të shërbejë si ndihmë shtesë në teknikat e mia të hartimit të teksteve ligjore dhe gjithashtu do të më ofrojë një perspektivë të BE-së për mënyrën se si bëhet kjo. "

Në fund të fundit, paraqitja e mocioneve dhe vendimeve të cilësisë së lartë, brenda një afati të arsyeshëm kohor, e promovon administratën dhe interesat e drejtësisë, si dhe një mjedis më produktiv për të gjitha palët e përfshira në këtë proces dhe mekanizëm kompleks të hartimit të teksteve ligjore. Kjo është një situatë ku fitojnë të gjithë. Kjo pra ka të bëjë me korrektësinë ligjore.