Lajme

Luftimi i krimeve virtuale

24 nëntor 2017

Në botën e sotme digjitale, madje vetëm një klikim në internet mund t'ju ekspozojë ndaj llojeve të ndryshme të rreziqeve virtuale dhe krimeve kibernetike. Kjo e ka rritur ndjeshëm nevojën për të ndërtuar dhe përmirësuar kapacitetet ekzistuese në kuadër të autoriteteve përkatëse të drejtësisë për t’i luftuar tregjet e errëta të internetit dhe krimin e organizuar.

Si një Mision për Sundimin e Ligjit, EULEX-i është duke e lehtësuar ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve të Kosovës për t’i hetuar në mënyrë më efikase dhe për t’i ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe terrorizmin dhe në këtë mënyrë ta mundësojë bartjen e plotë të funksioneve ekzekutive tek autoritetet lokale.

Z. Fadil Gashi, oficer i policisë në Njësinë e Krimeve të Rënda, e shpreh ngazëllimin e tij përpara kësaj punëtorie: "Unë pres që ky trajnim të më ndihmojë ta përmirësoj gatishmërinë time profesionale në mbledhjen e provave materiale në rastet e krimeve kibernetike".

Pjesëmarrës ishin gjyqtarë, prokurorë nga gjykatat e nivelit themelor dhe të apelit si dhe oficerët e policisë që merren me krimet kibernetike, si dhe nga Njësia e Krimeve të Rënda. Ky trajnim u përqendrua në një mjet praktik të lehtë për t'u konsultuar për prokurorët vendas që përballen me sfidën e re të përfshirjes së provave kibernetike në hetimet konvencionale. Ky mjet është prezantuar me emërtimin Udhëzues i Shkurtë për Policinë dhe Prokurorët për Hetimin e Tregjeve të Errëta të Internetit.

Nga pikëpamja e një prokurori, ky trajnim është më se i qëlluar. Shemsije Asllani, prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë thotë: "Prokuroria jonë i ka trajtuar disa raste ku janë përfshirë grupe të organizuara, mënyra e veprimit të cilave e përfshinte një dimension të krimeve kibernetike, prandaj unë pres nga kjo punëtori që ta rris aspektin profesional të kuptuarit të kësaj veprimtarie kriminale".

Objektivat dhe rezultatet përfundimtare të kësaj punëtorie janë shtjelluar gjithashtu nga z. Florin Cretu, zyrtar ligjor në Njësinë e Prokurorisë të Sektorit Ekzekutiv të Misionit: "Qëllimi i kësaj punëtorie është që ta parashikojë një rritje të pashmangshme të krimeve kibernetike, një trend që është demonstruar në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës. Sigurimi i një trajnimi shumë të specializuar për sistemin gjyqësor të Kosovës është në përputhje me përkushtimin e EULEX-it ndaj mandatit të tij dhe mbështetjes së institucioneve të Kosovës përkitazi me Sundimin e ligjit ".

Rrjedhimisht, prokurorët vendas do të fillojnë të ndërmarrin hetime më komplekse me një kapacitet të shtuar për t’i zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e organizuara dhe terrorizmin duke filluar t’i përdorin teknikat hetimore më të përditësuara.