26 janar 2018
Në përputhje me angazhimet për t’i përforcuar kapacitetet e Kosovës për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të keqtrajtimit seksual dhe të dhunës në familje, EULEX-i, Policia e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara këtë javë e organizuan një trajnim të specializuar për teknikat e intervistimit mjeko ligjor.
Rreth pesëdhjetë hetues të Policisë së Kosovës janë duke e ndjekur këtë trajnim, të përgatitur enkas për ta që ta kuptojnë më mirë se si ndikon keqtrajtimi fizik, seksual dhe emocional tek individët dhe se si mund të shprehet kjo kur intervistohen ata.
Sipas Nënkolonelit Ekrem Racaj, Drejtor i Njësisë së PK-së për Trajnime të Specializuara dhe të Avancuara në Akademinë e Policisë, vërtetë ekziston nevoja që hetuesit të kenë një pasqyrë më të mirë të dinamikës gjithnjë në ndryshim të hetimit të këtyre rasteve në Kosovë. "Ne duhet të bëjmë më shumë që të jemi në gjendje t’ju ndihmojmë viktimave të keqtrajtimit seksual dhe të dhunës në familje. Duhet ta përmirësojmë rolin e përgjithshëm të zyrtarëve të policisë dhe hetuesve që punojnë në këto raste ", vazhdoi ai.
Trajnimin janë duke e mbajtur zj. Jodie Hively dhe zj. Karen Blackwell, Intervistues Mjeko Ligjorë për Fëmijë/Adoleshentë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Zyra Federale e Hetimeve, FBI.
Trajnerët i kanë ndarë aftësitë e tyre në teknikat e intervistimit mjeko ligjor të rriturve dhe në veçanti të fëmijëve viktima. Përveç kësaj, ky trajnim përfshin edhe menaxhimin e rasteve dhe teknikat vijuese gjatë trajtimit të rasteve të ndryshme të keqtrajtimit seksual dhe dhunës në familje, veçanërisht kur viktimat janë fëmijë.
Karen Blackwell, një nga trajnueset e angazhuara të FBI-së, shpjegon se intervistimi i fëmijëve dhe adoleshentëve mund të jetë shumë i vështirë për shkak të një sërë çështjesh si: mënyrës se si flasin, nivelit të tyre të zhvillimit dhe të kuptuarit e këtij procesi dhe për shkak të pjesës emocionale të përvojës traumatike të tyre. Si pjesë e këtij trajnimit, FBI do ta ofrojë një program që fokusohet në teknikat e veçanta hetimore mjeko-ligjore.
"Ne jemi këtu për t'i mësuar Policisë së Kosovës se si ta zhvillojnë një intervistë në mënyrë që ta marrin informacionin më të mirë nga fëmijët dhe adoleshentët. Ne shkojmë në të gjithë botën për të ligjëruar për këto teknika të intervistimit. Ne e dimë se njerëzit në Kosovë kujdesen shumë për fëmijët e tyre dhe ata duan të sigurohen që PK-ja i zbaton teknikat më të mira të intervistimit për t’i zgjidhur rastet e një natyre kaq të ndjeshme. Ne jemi këtu për t'i mbështetur ata në këtë proces ", përfundon Blackwell.
Cindy Syes, Këshilltare e EULEX-it në Policinë e Kosovës dhunën në baza gjinore shpjegon se pse ky program është kaq i rëndësishëm për Kosovën. "Unë kam udhëtuar nëpër tërë Kosovën dhe çdo kund hetuesit kanë deklaruar se me ndryshimin e dinamikës së hetimit të rasteve të keqtrajtimit seksual dhe dhunës në familje nevojiten më shumë trajnime të specializuara. Përmirësimi i teknikave mund të ndihmojë në sigurimin e provave të nevojshme për të sjellë drejtësi për viktimat e dhunës familjare dhe seksuale ".