14 shkurt 2018
Dje, në selinë e EULEX-it në Prishtinë, Shefja e Misionit EULEX, zj. Alexandra Papadopoulou u takua me përfaqësuesit e Qendrës Burimore për Personat e Pagjetur (QBPP) bashkë-kryesuesit, z.Bajram Qerkini dhe z. Milorad Trifunović. Po ashtu, të pranishëm në takim ishin ekspertët e EULEX-it nga kjo fushë.
Qendra Burimore për Personat e Pagjetur, një OJQ e themeluar në muajin mars 2017, përqendrohet në bashkërendimin e aktiviteteve të familjeve të personave të pagjetur në Kosovë në kërkim të zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre. Kjo Qendër mbështetet nga UNMIK-u.
EULEX-i ka kontribuar në kërkimet e Kosovës për të pagjeturit me anë të një ekipi të ekspertëve mjeko-ligjorë të cilët punojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. Angazhimet e tyre për t’u ndihmuar autoriteteve lokale për përcaktimin e fatit të pagjeturve janë duke vijuar. Paralelisht me këtë, gjatë viteve të kaluara, EULEX-i e ka trajnuar ekipin lokal të terrenit për të kryer vlerësime të lokacioneve dhe zhvarrime.