17 shkurt 2015
Gjykimi kryesor kundër pesë të pandehurve të akuzuar për vepra të ndryshme të lidhura me terrorizëm filloi më 11 shkurt në objektet e Pallatit të Drejtësisë.
Të pandehurit, të cilët gjenden në paraburgim që nga data 5 nëntor 2013, u sollën në gjykatë nën masa të rrepta të sigurisë.
Objektet e reja në Pallatin e Drejtësisë ofrojnë kushte për mbajtjen e gjykimeve të drejta dhe transparente.
Në sallën e gjykimit ishin paraparë hapësira për të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë për gjyqtarët, procesmbajtësit, përkthyesit, prokurorin, zyrtarin ligjor, të pandehurit dhe avokatët e tyre. Veç kësaj, në sallë u akomoduan edhe gazetarët dhe familjarët e të pandehurve, të cilëve iu dha mundësia që të merrnin pjesë në gjykim, meqenëse gjyqtari kishte vendosur që gjykimi të ishte i hapur për publikun dhe mediat.
Aktakuza për këtë rast është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar në PSRK më 23 janar 2015.
Në bazë të aktakuzës, pesë të pandehurit dyshohen për kryerjen e veprave të ndryshme të terrorizmit, që përfshijnë mbajtjen në posedim të paligjshëm të armëve, prodhimin e materialeve shpërthyese, krijimin e një celule terroriste të nëntokës, përhapjen e urrejtjes fetare përmes mediave sociale, si dhe sulmin e rëndë kundër misionarëve të krishterë në Kosovë, mes të tjerash. Një nga të pandehurit ende gjendet në arrati, ndërsa të tjerët kanë pranuar marrëveshje me prokurorin ndërkombëtar për pranimin e fajësisë.
Kryetari i trupit gjykues e hapi seancën dhe, pas dhjetë minutave, mediave iu kërkua që ti largonin kamerat nga salla e gjykimit, ashtu siç parashihet me ligj dhe sipas urdhrit të gjyqtarit.
Prokurori e lexoi dispozitivin, përmbledhja e të cilit është si në vijim: "Pas hetimeve të gjata dhe të hollësishme të udhëhequra nga prokurori i EULEX-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të pandehurit janë akuzuar për përgatitjen e veprimtarive terroriste në territorin e Kosovës, për pjesëmarrje në grup terrorist, për blerje dhe posedim të paautorizuar të armëve. Kryesuesi i grupit po ashtu është akuzuar për organizimin dhe drejtimin e grupit terrorist në Kosovë, si dhe për kryerjen e veprave të terrorizmit përmes pjesëmarrjes në vrasje, pengmarrje, dhe në operacione të ndryshme ushtarake të organizatës terroriste ISIS në Siri. "
Kjo aktakuzë kundër pesë të pandehurve përmban akuza të rënda për aktivitete terroriste në kryera Kosovë dhe në Republikën Arabe të Sirisë (Siri).
Të pandehurit akuzohen për vepra të ndryshme që ndërlidhen me terrorizëm, ku përfshihet organizimi dhe drejtimi i grupit terrorist, pjesëmarrja në grup terrorist, përgatitja e veprave terroriste, prodhimi i paligjshëm i materialeve shpërthyese, mbajtja në posedim të paligjshëm të armëve dhe të eksplozivit, nxitja e urrejtjes fetare dhe sulmi i rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerja e veprave të terrorizmit brenda territorit të Sirisë.
Të pandehurit ishin arrestuar në Prishtinë gjatë një përpjekje për të blerë një sasi të madhe të armëve të zjarrit dhe municionit ushtarak për sulm. Arrestimet ishin pjesë e hetimeve të vazhdueshme të zhvilluara nga Policia e Kosovës (PK), Drejtoria kundër terrorizmit, për sulme të rënda kundër dy misionareve të krishtera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas vërtetimit të të dhënave të të pandehurve, prokurori e lexoi dispozitivin e aktakuzës, dhe pas verifikimit nga ana e gjyqtarëve se të pandehurit i kuptuan akuzat, ata e patën mundësinë që të bënin marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Seanca e radhës e gjykimit kryesor do të vazhdojë më 3 mars 2015.