Lajme

Tryezë e rrumbullakët nga EULEX dhe Agjencia Kosovare e Regjistrimit Civil në lidhje me procedurat për regjistrimin e veturave

04 prill 2018

Misioni EULEX organizoi së bashku me Agjencinë Kosovare të Regjistrimit Civil një tryezë të rrumbullakët ku u diskutua rreth procedurave për regjistrimin e veturave. Tema e kësaj punëtorie dyditore ishte zbatimi në praktikë i legjislacionit që ka të bëjë me vetura.

Qëllim i tryezës së rrumbullakët ishte të zhvilloheshin diskutime rreth zbatimit në praktikë të udhëzimit administrativ për regjistrimin e veturave dhe udhëzimit administrativ për veturat me tabela KS, të miratuar së fundmi nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Diskutimet në panel u udhëhoqën nga znj. Sebahate Muharremi-Pllana, drejtoreshë e drejtorisë për regjistrimin e veturave, z. Xhavit Gubetini, udhëheqës i sektorit për regjistrimin e veturave, dhe znj. Ganimete Sfishta, udhëheqëse e sektorit për mbështetjen e qendrave të regjistrimit të veturave, me mbështetjen e përfaqësuesve të EULEX-it nga Njësia Këshilluese për Punë të Brendshme (NjKPB).

“EULEX-i ka monitoruar me sukses dhe ka ofruar këshilla në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në veçanti rreth marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, përmes asistencës teknike ofruar Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në nivel lokal si dhe atë qendror. Qëllimi i diskutimeve dyditore mbi temën e zbatimit të udhëzimeve administrative është zbatimi i suksesshëm në praktikë i legjislacionit të nënshkruar”, tha z. Victor Gergely nga NjKPB.

EULEX-i dhe Agjencia Kosovare për Regjistrimin Civil mundësuan tryezën e rrumbullakët, ku gjatë dy ditëve pjesëmarrësve nga të gjitha qendrat e Kosovës për regjistrimin e veturave, përfshirë nga qendrat nga komunat veriore, patën mundësinë të ndërvepronin me panelin dhe të ngritnin shqetësimet e mundshme.

“Rëndësia e tryezës së rrumbullakët qëndron tek fakti se pjesëmarrësit janë ata të cilët do të zbatojnë në praktikë legjislacionin, duke kërkuar prej tyre të kontribuojnë me rekomandime dhe zgjidhje”,  tha znj.  Sebahate Muharremi-Pllana.

EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë mbështetje rreth zbatimit në praktikë të udhëzimeve administrative.